Foto: Ilustrim

Zyrtari policor i arrestuar në Gjilan ishte dënuar dy herë nga Gjykata

Shukri Aliu, ish-komandant në stacionin policor në Novobërdë, është arrestuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës pasi që i njëjti deri sa ishte jashtë detyrës zyrtare nuk kishte përfillur urdhrat bazuar në vendimet e Qeverisë për parandalimin e coronavirusit.

Aliu është i njohur për përballjet me organet e rendit dhe të drejtësisë.

Ai është gjykuar dy herë për veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe veprën tjetër – moslajmërim të veprave penale.

Gjykimi i parë për këto vepra penale kishte filluar qysh në vitin 2018 dhe i njëjti ishte karakterizuar me disa dështime të seancave për shkak të mungesës së të akuzuarit Shukri Aliu.

Në gjykimin e parë të shpallur më 29.11.2018, Aliu ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit. Për veprën penale marrje ryshfeti ai ishte dënuar me burgim prej 180 ditësh, i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 1 viti nuk kryen vepër të re penale, si dhe me gjobë prej 500 euro.

Kurse për veprën penale të moslajmërimit të veprave penale Shukri Aliu ishte dënuar  me gjobë prej 1,000 euro.

Lidhur me këto dënime, Aliu me avokatin e tij kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit me aktvendimin e saj të datës 26 shkurt 2019 e kishte kthyer lendën në rigjykim për shkak të shkeljeve procedurale.

Përfundimisht Gjykata e Gjilanit edhe pas kthimit në rigjykim prapë e kishte gjetur fajtor Aliun duke e dënuar  me 6 muaj burg dhe 1,500 euro gjobë, të cilin vendim prapë e kanë goditur me ankesë Aliu dhe avokati i tij, Ymer Huruglica dhe tani lënda gjendet në Gjykatën e Apelit.

Sipas Prokurorisë, në muajin shtator 2017, i akuzuari Shukri Aliu, në cilësi të personit zyrtar-komandant i stacionit policor në Novobërdë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë (dru për ngrohje), në sasi rreth 5 metra kub, me kusht moszbulimin e veprës penale, të vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani.

Shukri Aliu, gjithashtu akuzohej se në muajin korrik 2017, përmes telefonit komunikon me të pandehurin Ivan Dikiq, dhe nga i njëjti mëson se pa leje është duke poseduar armë të zjarrit dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, e cila armë gjatë bastisjes është sekuestruar.

Tutje sipas aktakuzës, Aliu nga i pandehuri Ivan Dikiq mëson se i njëjti është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç edhe pse si person zyrtar, komandant i stacionit policor në Novobërdë, mëson për këto dy vepra, të njëjtat nuk i lajmëron.

Sikur mos t’i mjaftonin këto procese, Shukri Aliu edhe sot në kohë pandemie pa i përfillur urdhrat nga Qeveria është gjetur në një veturë me disa persona nga Shqipëria duke paraqitur rrezik të madh për infektim me coronavirus.

Ati do t’i bëhet testi për coronavirus dhe do të vendoset në karantinë.

I njëjti tani dyshohet se e ka kryer veprën penale – mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Lidhur me procesin ndaj Shukri Aliut KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.