Nga një mbledhje e Kuvendit Komunal të Prishtinës - Foto: Facebook

Zyrtari i VV akuzon Shpend Ahmetin se ka lidhje me ata që planifikuan ndërtime në Badovc

Sekretari për marrëdhënie me jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti se Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë presion të japë kushtet ndërtimore për projektin në Badovc.

I pari i Prishtinës këto deklarata i ka bërë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale, e cila po mbahet sot rreth planifikimeve për ndërtimet në afërsi të Badovcit.

Zyrtari i VV, Ahmeti, i ka sugjeruar kryetarit të Prishtinës të gjejë personat që i kanë bërë presion sepse sipas tij ata gjenden brenda “klikës” së tij.

“Kryetari i 1.768 votave nga Komuna e Prishtinës, qenka mundu me e bë një “spin” në media, duke deklaruar se presionin kryesor për projektin e Badocit e paska pasur nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.Por, logjikisht shtrohet pyetja: si është e mundur që përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s po kërkojnë ndaljen e menjëhershme të këtij projekti? Kur dhe pse u ndalë ky presion ndaj Kryetarit të pakicës që ka shumë? Unë mund t’i ndihmoj atij me një sugjerim: mos ndoshta ata që bën presion gjenden brenda klikës që synonte ndarjen e VETËVENDOSJE!-s, e që përfunduan bashkë me Kryetarin e pakicës që ka shumë, si shembulli më i qartë i dështimit të ndonjë projekti politik në Kosovë?”, ka deklaruar Ahmeti.