Zyrtari i Trepçës suspendohet nga puna, thotë se shkaktar u bë punësimi i vëllait të tij si shofer personal

Drejtor i shërbimit teknik-gjeodezik, përgatitjes në minierë në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, Xhevdet Tahiri është larguar nga puna përkohësisht.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë ai.

“Arsyeja është kjo… unë akuzohem për një vepër penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Mendoj që nuk është vepër penale por ka pasë shkelje procedurale në vitin 2019, është hap një konkurs për shofer timin personal. Në konkurs ka qenë një kandidat dhe ai ka qenë vëllai im. Unë kam ba vetëm kërkesë të bordi mbikëqyrës, një shofer personal. Është hap konkursi, konkursi ka qenë publik, transparent edhe të gjitha procedurat kanë kaluar në burime njerëzore dhe në zyrën ligjore” – ka thënë Tahiri.

Tahiri nuk e konsideron si shkelje një veprim të tillë.

“Unë s’e kam shti në punë kërkon, vetëm kam bërë kërkesë. Në vitin 2019, te unë ka punu 3 muaj. Kam qenë në pozitë udhëheqëse. Në vitin 2019, 2020, 2021 është bërë auditimi i brendshëm dhe i jashtëm, asnjëherë nuk e kanë gjet këtë si shkelje ligjore edhe nuk ka pasë vërejtje”- tha tutje ai.

Drejtori thotë se vendim të prerë nga gjykata nuk ka marr teksa vazhdon e konsideron veten të pafajshëm.

“Më kanë suspenduar. Janë thirre në një nen në ligj të punës, dyshohet për vepër penale atëherë suspendohet. Por ligji penal i Kosovës thotë, përderisa është i dyshuar dhe nuk ka vendim të formës së prerë, ai është i pafajshëm. Përderisa nuk kam vendim të formës së prerë nga gjykata, mendoj se jam i pafajshëm, Më kanë suspenduar pa arsye dhe kanë bërë veprim të ngutshëm”.

Ndërsa Zyrtarja Për Komunikim me Publikun në Trepçë, Donika Osmani- Mehmeti ka konfirmuar se personi që është larguar përkohësisht nga puna është Xhevdet Tahiri dhe ka potencuar se vendimi është marrë pas pranimit të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Sipas ligjit të punës do të kompensohet (paga). Komisioni Disiplinor i ndërmarrjes Trepça Sh.A. është i obliguar që brenda 6 muajsh të trajtojë rastin”- përfundoi Osmani- Mehmeti.

KALLXO.com kishte raportuar më 17.08.2024 se ndërmarrja “Trepça” ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës inxhinierit Ekrem Peci me pretendimin se ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.

Ndërsa më 02.08.2024 KALLXO.com ka raportuar edhe për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv, Bashkim Kurti.

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim që të anulohet zgjedhja e Bashkim Kurtit në pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”. Këtë vendim e ka shqyrtuar bordi i ndërmarrjes “Trepça” në mbledhjen e mbajtur më 02.08.2024.

Ata kanë vendosur që ta lirojnë nga detyra Bashkim Kurtin dhe ta emërojnë Faton Ahmetin ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje.

Gjykata e Mitrovicës më 23.07.2024 ka vendosur që ta aprovojë kërkesën e paditësit Burim Asllani duke e anuluar vendimin e datës 11.01.2024 të bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, përmes të cilit është zgjedhur Bashkim Kurti kryeshef i ndërmarrjes “Trepça”.