Logo e NP KRU" Prishtina"

Zyrtari i Komunës së Lipjanit bëhet kryesues i bordit të KRU "Prishtina"

Zyrtari i Komunës së Lipjanit, Labinot Dedushi  sot është emëruar Kryesues i Bordit të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Avdullah Hoti ka marrë vendim që të shkarkojë bordet të cilat kanë qenë të emëruara nga Qeveria Kurti. Katër ndërmarrje publike janë bërë me drejtorë e anëtar të rinjtë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Dedushin i cili tha se nuk është në ndonjë parti politike, ndërsa shtoi se ende nuk e ka marrë vendimin për këtë pozitë. Kujtojmë Komuna e Lipjanit udhëhiqet nga LDK-ja.

“Realisht unë nuk jam në asnjë parti politike dhe vendimin ende nuk e kam pranuar, jam njoftuar nga mjetet e informimit, për çdo gjë më vonë ju kisha lut”, ka thënë Dedushi për KALLXO.com.

Labinot Dedushi i cili ka qenë menaxher i projekteve në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Lipjanit që nga viti 2018 është caktuar si zyrtar përgjegjës në po të njëjtën komunë, më saktësisht për përcjelljen e projektit për kompletimin e punimeve në impiantet e ujërave të zeza në Lipjan dhe Junik.

Dedushi ka për detyrë që të bëj përcjelljen e projektit gjatë të gjitha fazave deri në pranim- dorëzimin final.

Bordin e përkohshëm të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” e përbëjnë edhe Agim Miftari si anëtar, Arlind Haziri anëtar dhe Linda Spahiu anëtare.