Seanca ndaj zyrtarit të KEK-ut të akuzuar për ryshfet FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Zyrtari i KEK-ut akuzohet se mori ryshfet për ta punësuar dikë 

Zyrtari i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Sylejmon Pllana po akuzohet për marrje të ryshfetit ndërsa Egzon Hyseni për dhënie të ryshfetit.

Të dy këta të akuzuar dolën sot para Gjykatës në Prishtinë ku i akuzuari Pllana deklaroi se nuk ndjehet fajtor, ndërsa i akuzuari Hyseni u deklarua fajtor.

Mbrojtja e të akuzuarit Hyseni, Ahmet Gjinovci tha se është konsultuar paraprakisht me klientin e tij sa i përket benefiteve rreth pranimit të fajësisë.

“Pas konsultimit paraprak me të mbrojturin tim dhe pasi unë si mbrojtës i tij e kam njoftuar mbi benefitet e pranimit të fajësisë në këtë çështje, ai ka shprehur qëndrimin e tij se e ndjen veten fajtor. I propozoj Gjykatës që të pranojë deklarimin e të mbrojturit tim për pranimin e fajësisë, pasi i njëjti e bën këtë pa kurrfarë presioni e kurrfarë premtimi”, tha avokati Gjinovci.

Prokurorja e rastit Dulina Hamiti i propozoi Gjykatës që të aprovohet pranimi i fajësisë nga i akuzuari Hyseni.

Gjykata vendosi që të veçojë procedurën ndaj të akuzuarit Egzon Hyseni dhe shpallja e aktgjykimit për të do të bëhet më datën 17 maj.

Aktakuza thotë se gjatë muajit prill të vitit 2019, Sylejmon Pllana, inxhinier në KEK është takuar më tani të pandehurin Egzon Hyseni në një kafiteri në Fushë Kosovë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Pllana i ka kërkuar ryshfet shumën e parave prej 5500 Euro nga i pandehuri Egzon Hyseni, duke i premtuar se do ta punësonte në KEK, si vozitës, duke i marrë fillimisht ryshfet në mënyrë të drejtëpërdrejtë shumën e parave prej 2000 euro.

Ndërsa shumën e parave prej 500 euro, thuhet se e ka marrë ryshfet prej të pandehurit Egzon Hyseni, në kafiterinë e cila gjendet në sheshin e Prishtinës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Sylejmon Pllana pjesën tjetër të parave në shumë prej 3000 euro i kishte thënë të pandehurit Egzon Hyseni, “mi jep kur ta marrësh pagën e parë në KEK.