Zyrtari i BE-së: Për dy vjet, arsimi në Kosovë nuk është zhvilluar fare

Për dy vite gjendja e arsimit në Kosovën nuk ka pasur progres.

Kështu u tha sot në konferencën “Rrjeti i Kosovës për punësim dhe arsim” i organizuar nga Zyra e BE-së dhe Qendra për Arsim në Kosovë (KEC).

Shefi i Zyrës për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, ka deklaruar se gjendja në arsim ka stagnuar, e gjithë kjo për shkak të përformancës se institucioneve.

Sipas tij, në dy vitet e fundit nuk ka ndryshuar asgjë, andaj shpreson ai se ministria e ardhshme do të fokusohet në arritjen e objektivave kryesore.

“Si Bashkim Evropian ne jemi duke bërë shumë përpjekje që ta zhvillojmë arsimit. Edukimi prej dy vitesh nuk është zhvilluar fare, instuticionet shkollore nuk janë duke performuar mirë”, ka shtuar ai.

Kurse, përfaqësuesja nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Fadile Dyla tha se gjendja e arsimit nuk është e mirë, derisa kërkoi bashkëpunim për përmirësim nga të gjithë faktorët.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv, i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci, ka thënë se ka rëni të numrit të nxënësve viteve të fundit dhe rritje të mësimdhënësve.

“Që nga shpallja e pavarësisë deri në vitin 2018 numri i nxënësve ka rënë për 20% derisa numri i mësimdhënësve është rritur për 3%”, ka shtuar Pupovci.

Në këtë konferencë, u prezantua edhe raporti i monitorimit për zbatimin e “Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017 – 2021”.

Disa nga të gjeturat e këtij raporti janë se pjesëmarrja e fëmijëve në arsimin e obligueshëm dhe atë të mesëm të lartë është në nivel të kënaqshëm, megjithatë sfidë vazhdon të mbetet pjesëmarrja e ulët e fëmijëve në edukimin parashkollor.

Po ashtu sipas këtij raporti, janë shënuar disa hapa pozitiv në krijimin e mekanizmave për monitorimin dhe vlerësimin e përformancës së drejtorëve dhe zëvendës drejtorëve, si aprovimi I Ligjit për Inspektoratin e Arsimit, si dhe miratime të disa Udhëzimeve Administrative etj.