Zyrtari i AAK-së nënshkruan peticionin e VV-së për zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje ka ditë që po zhvillon një peticion online dhe në formë fizike me të cilin po kërkon zgjedhje të reja në vend.

Sot gjatë ditës, vetë lideri i kësaj partie, Albin Kurti, u pa në tri komuna ku nënshkruhej peticioni nga qytetarët, Drenas, Kamenicë e Gjilan.

E në Drenas përkrah tij u pa edhe një ish-zyrtar i PDK-së, tash në AAK, Naim Bazaj.

Në një bisedë për KALLXO.com, Bazaj nuk e ka mohuar kalimin në partinë e Albin Kurtit por tha se ende është pjesë e partisë së Ramush Haradinajt.

“Nuk kam kalu në Vetëvendosje po me të thanë të drejtën e pash vullnet që të ketë zgjedhje të reja. Jo vetëm unë, se besoj që dikush u pajtu me këto cka ka ndodh së fundmi në skenën politike. Për momentin vazhdoj me qenë në AAK, tash të shohim”, tha ish-kandidati për kryetar të Drenasit, Naim Bazaj.

Ai nuk e ka mohuar kalimin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, puna e ish-kryeministrit Albin Kurtit i ka pëlqyer.

“Me mu mbushë mendja, vetna vetë, edhe me ma marr mendja i them po, pse jo, edhe me pa planprogramin e tyre nashta edhe unë shkoj, pse jo. Është një ndryshim që bëhet me të madhe, edhe pa ofertë shkoj tekefundit se nuk jam i interesuar veç me thanë të zë një pozicion si shumëkush, thotë se po bëhet kryeministër po shkoj. Kur e di që po bëhet mirë edhe drejtë, se me disa veprime të drejta mendoj që i ka pas bë, me disa shkarkime të bordeve, që i njohim ne secili në rrethin tonë, ne e dimë e kur i ka pas bë disa shkarkime me të thënë drejtën fortë, ia bëjsha like nëpër Facebook”, deklaroi ai.

Në fund, ai tha se ka shkuar vullnetarisht për ta ndëshkuar peticionin.

“Në mënyrë vullnetare kam shku aty e dinë edhe ata, i thash dojmë zgjedhje të reja”, deklaroi ai.

Në një postim në Facebook, LVV njoftoi se Kurti pate takime në disa komuna ku edhe takoi qytetarët.

“Kryetari Kurti vizitoi këto qytete, ku takoi aktivistët punëtorë nëpër tenda dhe qytetarët nënshkrues të peticionit më të madh ndonjëherë. Koha e zgjedhjeve po afron e puna jonë do të shtohet në ditët e radhës. Rikthimi ynë do të jetë edhe më i fuqishëm, sepse nuk do të jetë vetëm rikthim i yni, por edhe i vetë popullit në qeverisje”, thuhet në postimin e partisë së Albin Kurtit.