Flamuri i NATO-s

Zyrtari francez: Franca kundërshton hapjen e zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Japoni

Franca nuk është entuziaste për një propozim që NATO ta hapë një zyrë ndërlidhëse në Japoni, ka thënë një zyrtar, disa ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ky vendim do të ishte një “gabim i madh”.

Ka pasur sugjerime, të aluduara së fundmi nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, se NATO do të hapte një zyrë në Tokio – e para në Azi – në përgjigje të sfidës në rritje të paraqitur nga Kina dhe Rusia.

Rritja e bashkëpunimit ushtarak midis Pekinit dhe Moskës në Azi-Paqësor u nënvizua të martën kur ushtritë ruse dhe kineze kryen patrulla të përbashkëta mbi Detin e Japonisë dhe Detin e Kinës Lindore, duke e nxitur Korenë e Jugut dhe Japoninë t’i përplasnin avionët luftarakë në përgjigje.

Patrullat, të cilat filluan në vitin 2019 – përpara se Rusia t’i dërgonte trupat e saj në Ukrainë dhe Pekini dhe Moska ta deklaronin partneritetin e tyre “pa limite” – janë rezultat i zgjerimit të gjatë të lidhjeve dypalëshe të ndërtuara pjesërisht mbi një ndjenjë të ndërsjellë kërcënimi nga SHBA dhe aleancat e tjera ushtarake.

Pavarësisht thirrjeve që NATO-ja të punojë më ngushtë me aleatët në Azinë verilindore, Franca me sa duket heziton ta mbështesë çdo gjë që nxit tensionet midis aleancës dhe Kinës.

“Nato [qëndron për] Atlantikun e Veriut dhe si neni V ashtu edhe neni VI [në statutet e tij] e kufizojnë qartësisht fushëveprimin në Atlantikun e Veriut”, ka deklaruar të martën një zyrtar francez, i cili kërkoi të mos i përmendet emri.

“Nuk ka asnjë zyrë ndërlidhëse të NATO-s në asnjë vend të rajonit. Nëse NATO ka nevojë për ndërgjegjësimin e situatës në rajon, ajo mund t’i përdorë ambasadat e përcaktuara si pika kontakti”, shtoi zyrtari, duke reaguar ndaj një artikulli të botuar fillimisht në Financial Times.

Zëdhënësi më i lartë i qeverisë japoneze, Hirokazu Matsuno, nuk pranoi të komentojë mbi komentet e raportuara të Macron, duke thënë vetëm se “konsiderata të ndryshme” janë duke u zhvilluar brenda NATO-s.

Hapja e një zyre në Japoni do të kërkonte miratimin unanim të Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku Franca mund ta përdorë veton e saj për ta prishur planin, sipas agjencisë së lajmeve Kyodo.

Pekini ka reaguar me zemërim ndaj propozimit për një zyrë ndërlidhëse në Japoni, i raportuar për herë të parë muajin e kaluar.

“Azia shtrihet përtej fushëveprimit gjeografik të Atlantikut të Veriut”, ka thënë Wang Wenbin, zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze në përgjigje të raportit të FT, sipas Kyodo.

“Megjithatë, ne kemi parë NATO-n të prirur për të shkuar në lindje në këtë rajon, duke ndërhyrë në çështjet rajonale dhe duke nxitur konfrontimin e bllokut”.

Ai ka deklaruar se Japonia duhet ta bëjë “thirrjen e duhur” dhe të përmbahet nga bërja e çdo gjëje që e “minon besimin e ndërsjellë midis vendeve të rajonit dhe paqen dhe stabilitetin në rajon”.

NATO, e themeluar fillimisht si një organizatë transatlantike e sigurisë kundër bllokut komunist të epokës sovjetike, po përpiqet ta përcaktojë rolin e saj përballë Kinës në rritje, duke e mbështetur gjithashtu Ukrainën kundër pushtimit rus.

Stoltenberg tha javën e kaluar se “çfarë ndodh në Azi ka rëndësi për Evropën dhe çfarë ndodh në Evropë ka rëndësi për Azinë, dhe për këtë arsye është edhe më e rëndësishme që aleatët e NATO-s ta forcojnë partneritetin tonë me partnerët tanë Indo-Paqësor”.

Duke mos e thënë konkretisht ku, Stoltenberg e vuri në dukje se kishte pasur një “kërkesë” për ta pasur një zyrë ndërlidhëse të NATO-s “dhe ne po shqyrtojmë mundësinë e krijimit të zyrës”.

Sipas Financial Times, Macron e kishte kundërshtuar personalisht idenë. Në një konferencë javën e kaluar, ai paralajmëroi se zgjerimi i gjeografisë së NATO-s do të ishte një “gabim i madh”.

Zyrtarët francezë janë gjithashtu të pakënaqur që kjo çështja është shfaqur në media përpara se të kishte konsultime të plota midis anëtarëve të NATO-s.

Macron në fillim të këtij viti bëri një vizitë shtetërore të profilit të lartë për t’i rritur marrëdhëniet me Kinën nën Presidentin Xi Jinping, duke sugjeruar në mënyrë të diskutueshme më pas se Evropa duhet të mbajë një distancë nga tensionet Kinë-SHBA mbi Tajvanin./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala