Ilustrimi: Marthaposempuckel/Pixabay
Zyrtarëve të lartë u zgjatet afati për ta deklaruar pasurinë në AKK
Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) e ka zgjatur afatin për deklarimin e pasurisë nga zyrtarë të lartë deri në një kohë të pacaktuar.
Sipas Ligjit, të gjithë zyrtarët e lartë kanë për obligim qe nga 1 marsi deri më 31 mars të deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Por për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e coronavirusit, afati është zgjatur.
Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli, në një prononcim për KALLXO.com tha se deklarimi i pasurisë është bërë në mënyrë elektronike nga mbi 2 mijë zyrtarët të lartë, por që gjysma ende nuk iu kanë nënshtruar këtij procesi.
“Afati është vazhduar për deklarimin e pasurisë pasi që shumë zyrtarë të lartë nuk kanë mundësi që t’i sigurojnë informacionet nga bankat dhe institucionet e ndryshme financiare. Nuk ka ndonjë datë deri kur”, tha Havolli.
“4,694 zyrtarë që janë të obliguar të bëjnë deklarimin e rregullt. Deri më tash janë mbi 2 mijë zyrtarë që e kanë deklaruar përmes deklarimit online në të cilën i kanë dërguar të gjitha formularët. Më shumë se gjysma ende nuk e kanë deklaruar”, u shpreh ai.