Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyrtarët që punojnë në ditën e zgjedhjeve, duhet të kenë certifikatën e vaksinimit apo testin PCR 48 orësh

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shefi i Sekretariatit, Burim Ahmetaj tha se trupat zgjedhor që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve duhet të kenë dëshminë e vaksinimit me vaksinën anti-COVID ose testin PCR negativ brenda 48 orëve të fundit.

“Lidhur me këtë ftojmë KQZ që t’i drejtohet MSH-së për t’i japë prioritet dhe mundësi të vaksinimit të të gjithë personave të cilët nominohen nga subjektet politike, anëtarët e këshilleve të vendvotimeve dhe trupat tjera zgjedhor që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve në mënyrë që të arrihet kompletimi i procesit të vaksinimit të tyre”, ka thënë Ahmetaj.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka kërkuar nga subjektet politike që anëtaret të jenë të vaksinuar dhe nëse ky proces nuk ka ndodhur ende të bëhet sa më parë.

“I ftoj partitë politike që të nominojnë persona të vaksinuar apo të njëjtit duhet me qenë në vend të punës me test PCR”, ka njoftuar Radoniqi.

Me këtë vendim është pajtuar edhe Ilir Gashi i PDK-së dhe ka kërkuar nga ministria e Shëndetësisë që për trupat zgjedhore të krijohen terminë të shpejta që deri në ditën e zgjedhjeve ta kenë marrë edhe dozën e dytë.