Foto-ilustrim

Zyrtarët publik me aktakuza do të suspendohen nga puna me Kodin e ri

Rastet në të cilat zyrtarët publikë përballen me aktakuza janë shumë të shpeshta por përkundër kësaj ata vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënimin e kryesve të veprave por vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimit të gjykatës, me të cilin ata shpallen fajtor.

Mirëpo, tani kjo çështje po synohet të rregullohet përmes Projekt-kodit të procedurës penale, i miratuar më 1 tetor 2021.

Me këtë Projekt-kod të miratuar nga Kuvendi i Kosovës parashihet suspendimi nga puna i zyrtarëve publikë që nga ngritja e aktakuzës për vepra penale të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në nenin 539 saktësohet se gjykata e pezullon të pandehurin i cili është person zyrtar nëse ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale kundër të drejtave në marrëdhëniet e punës, vepër penale kundër jetës dhe trupit, vepër penale kundër integritetit seksual, krim të organizuar, korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, trafikim me njerëz, shpëlarje të parave si dhe nëse ka arsye për të besuar se personi zyrtar do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale.

Ky Kod, në paragrafin 3  gjithashtu përcaktohet se me aktvendimin e pezullimit personi zyrtar nuk do të ketë qasje në ambientet zyrtare të zyrës së tij, nuk do të ketë të drejtë të ndërmarrë detyrë zyrtare dhe do të përmbahet nga kontakti me punonjësit në zyrën e tij.

“Vendimet në lidhje me këtë masë merren sipas kërkesës së prokurorit të shtetit nga gjyqtari i procedurës paraprake para se të ngritet aktakuza dhe nga kryetari i trupit gjykues pasi të jetë ngritur aktakuza”, thuhet në nenin 539 parag. 9 i Projekt-kodit të procedurës penale.

Në rast të moszbatimit të këtij aktvendimi, sipas paragrafit 6 personi zyrtar mund të paraburgoset.

Megjithatë, neni 540 i këtij Kodi edhe pas suspendimit, të pandehurit-zyrtarit publik ia ka mundësuar të drejtën të marrë 50% të pagës bazë të tij.

Me Kodin Penal deri më tani dënimet për veprat e korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare penale siç dihet merren vetëm pas vendimit të plotfuqishëm nga gjykata dhe nuk parashihet masa e suspendimit nga momenti i ngritjes së aktakuzës ndaj personit zyrtar.