Foto: KALLXO.com

Zyrtarët policor të përfshirë në rrëmbimin e shtetasve maqedonas, s'shkojnë bashkë me një burg

Zyrtarët policor të përfshirë në rastin e rrëmbimit të shtetasve maqedonas, nuk do të vendosen në të njëjtën qendër të paraburgimit.

KALLXO.com mëson se zyrtari policor me inicialet V.K., do të dërgohet në Prishtinë ndërsa tjetri me inicialet B.N., do të vendoset në qendrën e paraburgimit në Burgun i cili gjendet në fshatin Pasjak të Gjilanit.

KALLXO.com mëson se edhe katër të tjerët e përfshirë në këtë rast, do të dërgohen në burg në fshatin Pasjak.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca për caktimin e masës se sigurisë në lidhje me rastin e rrëmbimit të dy shtetasve maqedonas nga ana e 6 personave, dy nga ta zyrtar policor të Njësive Speciale.

Gjykata në Gjilan ka vendosur që t’u caktoj masën e paraburgimit gjashtë të dyshuarve për rastin e rrëmbimit.

Ndarja e zyrtarëve policor në burgje të ndryshme është bërë për të mos lejuar që të njëjtit të bashkëpunojnë mes vete në lidhje me procedurën e mëtutjeshme hetimore në lidhje me rrëmbimin që ndodhi mes datave 16 dhe 17 shkurt të këtij muaji.

Njëri nga zyrtarët policor po dyshohet të ketë rolin kryesor në rastin e rrëmbimit të dy shtetasve maqedonas.

Dosja e prokurorisë në Gjilan thotë se “nga data 16.02.2021 nga ora 22:00 deri me datën 17.02.2021 në ora 14:00, të dëmtuarit nën presion / kërcenim të armëve nga të pandehurit i kanë zhveshur të dëmtuarit, prangosur me pranga të plastikës duke ua plasuar videon familjarëve të të dëmtuarve, bashkërisht në koordinim me të pandehurit, rolet dhe detyrat e tyre në raport me të pandehurën, gruan, se si të veprojë, josh të dëmtuarin me qëllim përfitimi material, ashtu që të pandehurit ua kanë marrë të dëmtuarve portofolat, ku njërit prej të dëmtuarve ia kanë marrë 100 euro, 100 franga dhe 4,000 dinarë të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në kërkesën për paraburgim ndaj pesë të pandehurve.

Njërit prej të rrëmbyerve, sipas prokurorisë, i janë marrë 40 euro, derisa i njëjti ka qenë i prangosur, nën kërcënim të armës.

“Të njëjtit gjatë kësaj periudhe kohore kanë qenë të mbyllur, duart e prangosura, të kërcënuar, duke i goditur me shuplaka dhe kondak të revoles në kokë, të dëmtuarit kanë përjetuar shqetësim dhe ankth dhe bërë jetën të pa sigurt nën kërcenim të armëve, ashtu që pas intervenimit të zyrtarëve policor në Gjilan, të pandehurit identifikohen dhe arrestohen”, thuhet tutje në kërkesën për paraburgim të siguruar nga KALLXO.com.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se katër nga 6 të dyshuarit e arrestuar për rrëmbimin e shtetasve maqedonas, kanë edhe vepra të tjera kriminale në të kaluarën