Ilustrim

Zyrtarët evropianë: Rusia po përdor gazin për shantazh

Kremlini njoftoi ndërprerjen e furnizmimit me gaz natyror të Bullgarisë dhe Polonisë, ndërsa kërcënoi se do të ndërpresë furnizimet edhe për vende të tjera. Zyrtarët evropianë e shohin vendimin rus si provokim të radhës dhe thanë se Moska po e përdor si shantazh ndërprerjen e gazit.

Dy vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Bullgaria dhe Polonia, janë të parat të cilave u pezullohen furnizimet me gaz natyror nga Rusia pas refuzimit të tyre për të paguar në rubla, masa më e ashpër e Kremlinit në kundërpërgjigje të sanksioneve për sulmin e paprovokuar kundër Ukrainës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen tha se njoftimi i kompanisë Gazprom për ndaljen e njëanshme të dërgesave të gazit është një provokim tjetër nga Kremlini.

“Nuk është habi që Kremlini shfrytëzon karburantet fosile në përpjekje për të na bërë shantazh”, tha zonja Von der Leyen ndërsa shtoi se “Kremlini dështoi në përpjekjet për përçarjen e vendeve anëtare të Bashkimit Evropain dhe se epoka e energjisë ruse në Evropë po shkon drejt fundit”.

Zyrtarja e lartë evropiane paralajmëroi një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Moskës dhe tha se Bashkimi Evropian po angazhohet për të ndihmuar Poloninë dhe Bullgarinë të furnizohen nga burime të tjera.

Muajin e kaluar presidenti rus Vladimir Putin miratoi një dekret që obligonte blerësit e huaj “jomiqësorë” të paguanin Gazpromin në rubla në vend të monedhave të tjera, një kërkesë që është refuzuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne nuk do të nënshtrohemi. Bullgaria po shqyrton të gjitha marrëveshjet me Gazpromin, duke përfshirë atë të tranzitit përmes vendit tonë, sepse shantazhi i është i papranueshëm”, tha kryeministri bullgar Kiril Petkov.

Presidenti polak Andrzej Duda paralajmëroi ndërmarrjen e veprimeve ligjore kundër Gazpromit për shkelje të kontratës.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki tha se megjithë masën ruse, furnizimet me gaz në vendin e tij janë të sigurta.

“Ne do të jemi në gjendje të mbrojmë ekonominë, familjet dhe qytetarët tanë kundër masave të ashpra të Rusisë”, tha ai gjatë një vizite në Berlin.

Qytetarët e Varshavës reaguan ndaj vendimit.

“Të gjithë e dimë se kjo është luftë dhe në kohë lufte shpenzimet rriten. Edhe unë jam në luftë, duke u përballur me këto shpenzime”, thotë 68 vjeçari Andrzej, pensioner nga Varshava.

“Gazin që e kemi nga burime të tjera është i mjaftueshëm për ngrohje. Është pranverë, nuk do të kemi probleme me ujin e nxhetë dhe ngrohjen, prandaj nuk frikësohem. Nëse kjo do të ndodhte në nëntor ose dhjetor, do të ishte shumë më serioze”, thotë Blazej Pajda, banor i Varshavës.

Rusia nga ana tjetër mohoi akuzat e përdorimit të gazit natyror si mjet shantazhi.

Zëdhënësi i Kremlimit Dmitry Peskov nuk pranoi të thotë se cilat vende janë pajtuar të kryejnë pagesat në rubla, në përputhje me dekretin e presidentit rus Putin.

“Nëse disa klientë refuzojnë të paguajnë me sistemin e ri, atëherë sigurisht se do të zbatohet dekreti i ri”, tha zoti Peskov.

Shefi ekzekutiv i Bankës Gjermane, Christian Sewing, tha sot se nëse furnizimet ruse të energjisë në Gjermani do të ndaleshin, vendi do të përballej me recesion të konsiderueshëm.

“Tani e shohim se ky është një rrezik real”, paralajmëroi ai.

Evropa importon sasi të mëdha gazi natyror rus për ngrohjen në banesa, për të prodhuar energji elektrike dhe për industrinë e prodhimit të karburantit. Importet kanë vazhduar pavarësisht luftës në Ukrainë/VOA/.