Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook

Zyrtarët e LDK-së bisedojnë me përfaqësues të lartë të BE-së, kërkojnë liberalizimin e vizave

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se sot kryetari i partisë  Lumir Abdixhiku dhe nënkryetarja Shqipe Mjekiqi-Sadiku, kanë zhvilluar një takim miqësor me përfaqësues të lartë të BE-së.

LDK tutje thekson se përfaqësuesit e BE-së vlerësuan lart pjesëmarrjen e partisë në procesin e votimit “dhe përgëzuan kryetarin Abdixhiku për rolin konstruktiv që LDK ka luajtur duke i hapur rrugë zgjedhjes së Presidentes”.

Në këtë takim virtual thuhet se është folur edhe për sigurimin e vaksinave shtesë kundër COVID-19 për Kosovën.

“Po ashtu, njoftuan kryetarin Abdixhiku që BE-ja është duke finalizuar përpjekjet që, përveç kanalit COVAX, shumë shpejt të sigurojë vaksina shtesë për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit”, thuhet në njoftim.

Kurse,  Abdixhiku ka falënderuar përfaqësuesit e BE-së për mbështetjen që ka dhënë BE për Kosovën duke theksuar nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe një përshpejtim të procesit të integrimit.

Sipas njoftimit, zyrtarët e LDK-së, biseduan me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Olivér Várhelyi, Zëvendës Kryetarin e Grupit të PPE për Zgjerim, Ballkanin Perëndimor dhe Fqinjësi Jugore në Parlamentin Evropian, Andrey Kovatchev, dhe një numër eurodeputetësh e raportuesish nga Parlamenti Evropian.