Zyrtarët e lartë publik duhet ta deklarojnë pasurinë deri më 19 qershor

Në pajtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e masave pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, Agjencia Kundër Korrupsionit njofton se afati i deklarimit të pasurisë vazhdon deri me datë 19 qershor 2020.

Me këtë rast, Agjencia Kundër Korrupsionit kërkon nga zyrtarët e lartë publikë të cilët nuk e kanë bërë ende deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deklarimin e pasurisë në pajtim me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar.

“Formulari i deklarimit të pasurisë duhet të plotësohet në pajtim me Nenet 5, 6, 7, 8 dhe 10,  të Ligjit nr. 04/L-050 dhe Ligjin nr. 04/L-228 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050.  Ndërkaq, Zyrtarët e lartë publik që kanë deklaruar pasurinë me marrjen e detyrës nga 1 janari i këtij viti e deri më tani nuk janë të obliguar të paraqesin edhe deklarimin e rregullt vjetor”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Bazuar në Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me situatën rreth COVID-19, Agjencia Kundër Korrupsionit, komfor udhëzimeve dhe rekomandimeve institucionale, më 17 mars 2020, kishte njoftuar të gjithë zyrtarët publikë se afati për deklarimin e pasurisë shtyhet për një kohë të pacaktuar deri në normalizimin e gjendjes.

“Gjatë kësaj kohe, pavarësisht gjendjes së krijuar me COVID-19, Agjencia Kundër Korrupsionit ka vazhduar punën sipas rekomandimeve të përcaktuara nga institucionet relevante, duke vepruar dhe funksionuar konform mandatit të saj të përcaktuar në dispozitat e Ligjit Nr. 03/l-159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe legjislacionit tjetër dhe ka pranuar në vazhdimësi nga subjekte deklaruese formularët e deklarimit të pasurisë”, thuhet në njoftim.