Taylor Swift, Foto: Facebook
Zyrtarët austriakë: Sulmuesit synonin vrasje masive
Dy të dyshuarit në komplotin e neutralizuar për të kryer sulme në koncertet e Taylor Swiftit në Vjenë duket se ishin frymëzuar nga grupi “Shteti Islamik” dhe “Al-Qaeda”, kanë thënë autoritetet austriake të enjten, derisa hetuesit kanë gjetur materiale për prodhimin e bombave artizanale në njërën prej shtëpive të të arrestuarve, ka raportuar agjencia, AP. Zyrtarët kanë thënë se njëri prej të dyshuarve e ka pranuar se planifikonte “të vriste sa më shumë që ishte e mundshme jashtë vendit të mbajtjes së koncertit”.
Tri koncertet, për të cilat ishin shitur biletat, janë anuluar një ditë më parë për shkak të një komploti të neutralizuar për t’i goditur adhuruesit e Swiftit nga e mbarë bota. Shumë prej tyre tashmë kishin shpenzuar mijëra euro dhe kishin zbarkuar në kryeqytetin e shtrenjtë austriak për të marrë pjesë në koncertet e “Eras Tour” në stadiumin “Ernst Happel”, i cili të dielën në mëngjes ishte i boshatisur derisa mediat u mblodhën para tij për të shkrepur fotografi e marrë pamje.
Plani për sulm
Organizatorët e koncerteve kanë thënë se qëndrojnë prapa vendimit për anulimin, duke njoftuar se prisnin pjesëmarrjen e 65 mijë shikuesve në stadium në secilin prej koncerteve dhe rreth tridhjetë mijë të tjerë që do ta shikonin në ekran jashtë stadiumit, ku autoritetet thonë se të dyshuarit planifikonin ta kryenin sulmin.
Zyrtarët kanë thënë për gazetarët se i dyshuari kryesor, një 19-vjeçar austriak, nisi punën për planet e tij sulmuese në korrik, dhe vetëm disa javë më parë kishte ngarkuar në internet një zotim për besnikëri ndaj liderit aktual të grupit militant, “Shteti Islamik”. Ai planifikonte të përdorte thika dhe eksplozivë artizanal.
“Ai donte ta kryente një sulm në zonën jashtë stadiumit, duke vrarë sa më shumë njerëz që ishte e mundshme me përdorimin e thikave dhe madje me përdorim të mjeteve shpërthyese që i kishte prodhuar vetë”, ka deklaruar Omar Haijawi-Pirchner, drejtor i Inteligjencës dhe Sigurisë Shtetërore, duke iu referuar dëshmisë së 19-vjeçarit.
Ai “padyshim se ishte radikalizuar në drejtimin e ‘Shtetit Islamik’ dhe mendon se është e drejtë që të vrasësh të pafe”, ka thënë Haijawi-Pirchner, duke iu referuar deklaratave të të dyshuarit.
Sulmi i dështuar ishte planifikuar për të enjten ose të premten, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner. Asnjëri prej të dyshuarve duket se nuk kishin blerë bileta për koncertet.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së njërit prej të dyshuarve në Ternitz, në jug të Vjenës, hetuesit kanë gjetur substanca kimike dhe pajisje teknike që nënkuptonin “veprime përgatitore konkrete”, ka thënë Franz Ruf, drejtor i përgjithshëm për Siguri Publike në Ministrinë e Brendshme.
Autoritetet kanë thënë se kanë gjetur material të grupit “Shteti Islamik” dhe “Al-Qaedas” në shtëpinë e të dyshuarit të dytë, një austriaku 17-vjeçar. Ai ishte punësuar para disa ditësh prej një kompanie që ofronte shërbime për koncerte, dhe ishte arretsuar prej forcave policore speciale afër stadiumit.
Dy tinejxherët u arrestuan të martën. Asnjëri prej emrave nuk është bërë i ditur në pajtim me rregullat austriake për privatësinë.
“Situata ishte serioze, situata është serioze”
Nuk po kërkohet asnjë i dyshuar tjetër, ka thënë Karner, ministri i Brendshëm. Sidoqoftë, një 15-vjeçar, i cili ishte në kontakt me të dyshuarit, është marrë gjithashtu në pyetje nga policia.
“Situata ishte serioze, situata është serioze. Por ne gjithashtu mund të themi: Një tragjedi u parandalua”, ka shtuar ai.
Organizatorët e koncerteve, “Barracuda Music”, kanë bërë të ditur në Instagram në një postim të mërkurën mbrëma se “nuk kishim zgjidhje tjetër, pos t’i anulonim tri koncertet e planifikuara për sigurinë e të gjithëve”. Ka cituar konfirmimin e zyrtarëve qeveritarë për sulmin e planifikuar në afërsi të stadiumit.
Swift dhe ekipi i saj nuk kanë folur publikisht për komplotin e as për koncertet e anuluara. Faqja e saj në Instagram ka ripostuar njoftimin e “Baaracuda Music” në “Story”, që zgjati vetëm 24 orë.
Muajin e kaluar, një sulmues në Angli i la të vdekura tri vajza të vogla dhe plagosi dhjetë të tjera në një sulm me thikë gjatë një klase me joga dhe me vallëzim me tematikë Swiftin. Ajo atëherë tha se ishte “tronditur jashtëzakonisht shumë” kur mori vesh për sulmin.
Evropa është plot me adhurues të zjarrtë të superyllit amerikan. Në qytezën gjermane, Gelsenkirchen që e rimërtoi veten “Swiftkirchen” para koncerteve të meskorrikut.
Bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet shërbimeve të huaja inteligjente
Zëvendëskancelari austriak, Werner Kogler, ka shkruar në platformën sociale X: “Për shumëkënd, sot u prish një ëndëër. Për netë me radhë në Vjenë, dhjetëra mija #Swifties do të duhej të festonin bashkërisht”.
“Më vjen thellësisht keq se ju mohua kjo. Swifties mbahuni bashkë, urrejtja dhe terrori nuk mund ta prishin atë ëndërr”, ka shtuar Kogler.
Kancelari austriak, Karl Nehammer, ka postuar në X se “anulimi i koncerteve të Taylor Swiftit prej organizatorëve është një zhgënjim i madh për të gjithë adhuruesit në Austri”.
“Situata përreth sulmit qartazi të planifikuar terrorist në Vjenë ishte shumë serioze”, ka shkruar ai. Por ka shtuar se fal bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe inteligjencës austriake dhe të huaj, “kërcënimi mund të detektohej më herët, të neutralizohej dhe një tragjedi të parandalohej”.
“Barracuda Music” ka njoftuar se “të gjitha biletat do të rimbursohen automatikisht brenda dhjetë ditëve”. Të njëjtat fjalë janë postuar edhe në uebfaqen zyrtare të superyllit amerikan te datat për koncertet e Vjenës.
Stadiumi i Vjenës ishte kontraktuar për koncertet e planifikuara, ka raportuar APA, me rreth 170 mijë ahudurues që priteshin të merrnin pjesë në koncertet në Austri. Disa që kanë postuar në X kanë thënë se u kanë shkuar huq muaj të tërë përgatitjesh për të zgjedhur edhe veshmbathjen më të përshtatshme për koncertet.
Swift pritet të mbajë koncerte në stadiumit “Wembley” në Londër në pesë data nga 15 deri më 20 gusht për të përmbyllur turneun evropian “Eras Tour”.
Më 2017, një sulm në një koncert të Ariana Grandes në Manchester në Angli la të vdekur 22 persona. Sulmuesi kamikaz, Salman Abdei, kishte aktivizuar një bombë në arenën e Manchesterit në fund të koncertit të Grandes derisa dhjetëra mija adhurues po dilnin. Më hsumë se 100 persona mbetën të plagosur.
Një hetim zyrtar i publikuar më 2023 tregoi se agjencia e inteligjencës së brendshme e Britanisë, MI5, nuk kishte reaguar me vendosmëri pas informacioneve kyç dhe kishte keqpërdorur mundësinë për të parandaluar sulmin, më vdekjeprurësi në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e fundit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com