Arkiv

Zyrtare - Testi i Arritshmërisë mbahet më 28 maj

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar nxënësit e klasave të 9-ta se të premten, më 28 maj, do të mbahet Testi i Arritshmërisë.

Sipas njoftimit të MASHTI-it, për shkak se është kohë pandemie, forma e organizimit të sistemimit të nxënësve në klasë, duhet të realizohet një nxënës në një bankë kurse në çdo klasë do të lejohen vetëm nga 15 nxënës.

“Ministria e Arsimit është e vendosur dhe e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, ndërsa ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi. Organizimi i testit do të realizohet sipas kërkesave dhe standardeve më të larta, duke garantuar testim cilësor dhe të besueshëm”, thuhet në postimin e këtij dikasteri të publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Rezultatet e Testit të Arritshmërisë pritet të shpallen më 7 qershor.

“MASHTI fton të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces, që të respektohen në përpikëri rregullat dhe masat kundër Covid-19. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MASHTI”, thuhet tutje në njoftim.