Foto: Sami Lushtaku / Facebook

Zyrtarë të PDK-së shkelin masat anti COVID-19, nuk mbajnë maska as distancë

Zyrtarë të partive politike vazhdojnë të shkelin masat e vendosura nga institucionet shtetërore për të parandaluar përhapjen e sëmundjes COVID-19.

Sot gjatë ditës zyrtarë të PDK-së kanë publikuar fotografi ku shihen tubime të njerëzve në numër përtej atij të lejuar me masat qeveritare.

Kryetari i degës së kësaj partie në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka publikuar fotografi nga një tubim i zhvilluar në një odë në Aqarevë.

Fotografitë tregojnë se në këtë tubim kanë marrë pjesë dhjetëra persona, të cilët janë të ulur gju më gju me njëri-tjetrin.

Përveçqë nuk respektojnë distancën, fotografitë tregojnë se pothuajse të gjithë pjesëmarrësit nuk mbajnë as maska.

Edhe zyrtari tjetër i kësaj partie, Xhavit Haliti, ka publikuar foto nga një takim me përkrahës të PDK-së.

Fotografitë tregojnë për mosrespektim të numrit të njerëzve të tubuar si dhe të mbajtjes së maskës.

Takimi, sipas Halitit, është zhvilluar me banorë të Jabllanicës së Vogël, të cilëve ai u ka premtuar rregullimin e infrastrukturës kur në pushtet të vijë PDK-ja.

Parti të ndryshme janë mobilizuar në kuadër të përgatitjeve për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen në fund të këtij muaji ose në fillim të shkurtit.

Zgjedhjet mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e vlerësoi të paligjshme zgjedhjen e Qeverisë Hoti.