Zyrtare: Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë Kampionatin Euro 2027 për moshat U-21

Federata Europiane e Futbollit (UEFA) ka bërë të ditur se Federata Shqiptare e Futbolli (FSHF) dhe Federata Serbe e Futbollit (FSF) janë përzgjedhur si organizatorë të përbashkëta të Kampionatit Europian të Futbollit për moshat U-21 që mbahet në qershor të vitit 2027.

Shtëpia europiane e futbollit ka njoftuar se Komiteti Ekzekutiv i saj u mblodh sot, më 04.02.2025, dhe vendosi për përzgjedhjen e nikoqirëve për turneun final të Kampionatit Evropian për moshat U-21 të UEFA-s në vitin 2027.

Sipas njoftimit të UEFA-s, pas dorëzimit të një dosjeje të vetme të ofertës së përbashkët, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Serbe e Futbollit u caktuan si mikpritëse për edicionin e vitit 2027 të turneut.

“Turneu me 16 ekipe është planifikuar të luhet në katër stadiume në Shqipëri (Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Rrogozhinë) dhe katër stadiume në Serbi (Novi Sad, Loznicë, Leskovc dhe Zajeçar). Ndeshja hapëse do të zhvillohet në Serbi dhe finalja do të zhvillohet në Shqipëri”- thuhet në njoftimin e UEFA-s.

Pas këtij vendimi ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe kreu i saj Armand Duka.

FSHF-ja ka bërë të ditur se Shqipëria do të ketë për herë të parë mundësinë që të përfaqësohet me brezin e saj të ri të futbollistëve U-21 në një turne madhor ndërkombëtar.

Kurse kreu i FSHF-së, Armand Duka, citohet të ketë thënë se vendimi i sotëm i UEFA-s është një vendim shumë i rëndësishëm sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli.

“Ai (kampionati) do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”- citohet të ketë thënë Duka, sipas njoftimit të FSHF-së.

Sipas FSHF-së, dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

Shqipëria dhe Serbia aplikuan bashkërisht për organizimin e Kampionatit të UEFA për moshat U-21.

UEFA njoftoi më 26.09.2024 se vetëm kërkesa e përbashkët e Shqipërisë dhe e Serbisë ka zënë afatin për organizimin e këtij kampionati në vitin 2027.

Vendimi i Shqipërisë për bashkorganizim të këtij turneu me Serbinë ishte kritikuar në Kosovë.

Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, më 13.11.2024, gjatë një konference ishte shprehur i pakënaqur me Shqipërinë për bashkorganizimin e Kampionatin të UEFA-s për  U-21 me Serbinë.

Çeku pati thënë se Shqipëria nuk e ka kontaktuar fare Ministrinë e Kulturës në Kosovë për mundësinë e bashkorganizimit.

“Ne si ministri nuk jemi kontaktuar asnjëherë në raport me mundësinë e bashkorganizimit të këtij kampionati” – pati thënë ministri Çeku.