Zyrtarë policor në Skenderaj e konsideruan trajtim jo të barabartë procesin e transferimeve të përkohshme në kufi

Disa zyrtarë policor të Stacionit Policor në Skenderaj janë ankuar dhe kanë ngritur shqetësimet e tyre për shkelje të të drejtave, përfshirë trajtimin jo të barabartë gjatë proceseve të transferimeve të përkohshme.

Kjo pasi që në mungesë të zyrtarëve policor Departamenti për Kufi dhe Drejtoria për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve rrezikonte mos funksionalitetin, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë për të plotësuar nevojat operacionale, ka vënë në funksion plotësimin në personel përmes sistemimit apo transferimit.

Këto të dhëna kanë dalë nga një inspektim të cilin e ka kryer Inspektorati Policor i Kosovës në prill të këtij viti ndërsa të dhënat që janë inspektuar kanë qenë të tri viteve të fundit.

Sipas raportit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë vazhdimisht ka mbështetur me personel Departamentin për Kufi dhe Drejtorinë për Sigurimin e objekteve dhe personaliteteve me personel nga stacionet policore Mitrovicë e  Jugut, Vushtrri dhe Skenderaj.

Periudha e transferimit ka qenë nga tre deri në gjashtë muaj kryesisht në stacionet policore për mbikëqyrje të kufirit në kuadër të Drejtorisë Rajonale Policore Kufitare- Veriu.

Në fund të marsit të këtij viti, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës kishte vendosur që sistemimet në kohë të caktuar në Departamentin për Kufi të zëvendësohen me sistemime të përhershme në kohë të pacaktuar.

Për këto vendime kanë ngritur shqetësimet disa zyrtar policor në Skenderaj nën pretendimet se atyre po u shkelen të drejtat dhe nuk kanë trajtim të barabartë në proceset e transferimeve.

Si ishte bërë përzgjedhja e zyrtarëve policor për transferime

Duke u ballafaquar me probleme në personel departamenti kufitar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kishte kërkuar nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës që të caktoj personel për të transferuar përkohësisht në DK.

Policia në Mitrovicë i ishte përgjigjur kërkesave të DPP-së dhe kishte vënë në dispozicion personel duke i transferuar zyrtarët policor në kohë të caktuar çdo tre muaj.

Sipas kësaj praktike për çdo tre muaj Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë ka kërkuar nga stacionet policore në Mitrovicën e Jugut, Vushtrri e Skenderaj që të nominojnë zyrtarët policor për transferime të përkohshme.

Në tre vitet e fundit, Stacioni Policor në Skenderaj vazhdimisht kishte asistuar policinë kufitare me polic përmes transferimeve për kohë të caktuar me shërbim në kuadër të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit- Veriu.

Pas përfundimit të  fazës së fundit të transferimit Stacioni Policor në Skenderaj kishte dërguar listën e re me emra të zyrtarëve policor për të zëvendësuar ata të grupit të fundit të të transferuarve.

IPK pretendon se ka siguruar vendimet dhe ka inspektuar procedurën e transferimit të zyrtarëve policor.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kishte lëshuar disa vendime për nëntë zyrtar policor të Skenderajt të sistemoheshin për kohë të pacaktuar në departamentin kufitar për mbikëqyrje të kufirit.

Të njëjtit kishin shërbyer edhe në gjashtë muajshin e fundit në atë departament.

IPK pretendon se DRP- Mitrovicë dhe DPP me vendimet për sistemimin e zyrtarëve policor fillimisht në kohë të caktuar me cikle e së fundmi edhe me vendime për kohë të pacaktuar kanë reflektuar sikur nuk kanë aplikuar standardet për trajtim të barabartë të punëtorëve.

IPK ka kryer verifikime për 84 zyrtarë policor sa ka Stacioni Policor në Skenderaj dhe në bazë të të dhënave del se në dhjetë vitet e fundit janë kryer 300 transfere për kohë të caktuar.

Nga 84 zyrtarët policor të Stacionit Policor në Skenderaj, katër dalin se nuk kanë qenë të përfshirë në transfere, tetë nga ta janë përfshirë në transfere nga një herë, gjashtë policë nga dy herë, 12 nga tre herë, 29 policë nga katër herë, 18 policë janë transferuar pesë herë, gjashtë policë janë transferuar nga gjashtë herë ndërsa një zyrtar policor është transferuar shtatë herë.

IPK në raport ka përmendur edhe se një pjesë e zyrtarëve policor janë përfshirë më shpesh në transfere në raport me të tjerët.

Arsyetimi i drejtuesit policor ka qenë se në kuadër të zyrtarëve policor ka edhe të tillë që kanë probleme fizike dhe shëndetësore dhe nuk mund të përfshihen në ciklet e transfereve.

IPK në bazë të gjetjeve ka vlerësuar se varësisht nga nevojat operative policia mund të sistemoj punonjësit për një vendi në vendin tjetër edhe pa pëlqim të tyre.

Lëvizja e policëve duhet të vlerësohet e arsyeshme dhe e nevojshme duke pasur parasysh nevojat operative.

Tutje IPK ka vlerësuar se gjatë sistemimit për kohë të caktuar të zyrtarëve policor nga stacioni policor në Skenderaj nuk është ndjekur sa duhet praktika gjithëpërfshirëse për zyrtarët policor në ciklet e transferove jashtë regjionit që është ndikuar nga natyra e kërkesave specifike për vendet e punës.

Rekomandimi i IPK-së është që Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë dhe Stacioni Policor në Skenderaj para sistemimit apo transferimit të policëve jashtë regjionit të kujdesen që nominimi të bazohet në parimin gjithëpërfshirës.