Zyrtare - PDK fiton zgjedhjet lokale në Skenderaj

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme është zyrtarizuar fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me kandidat Fadil Nurën për kryetar të komunës së Skenderajt.

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit të Bekim Jasharit kundrejt vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas vendimit, ankesa e subjektit të njëjtë, kundër vendimit të PZAP-së, hidhet si e palejuar.

PZAP i kishte  hedhur poshtë të gjitha kërkesat e subjektit të Bekim Jasharit për përsëritje të votimit, me arsyetimin se “nuk ka bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat”.

Në anën tjetër, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konstatuar se tetë fletëvotime kanë qenë të pavulosura në kutinë e votimit për kryetar të Komunës së Skenderajt.

Bekim Jashari nga lista e pavarur “Ideal për Skenderaj” ka marrë 40,64 për qind të votave kurse kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Nura, mori 57.99 për qind.