Zyra ligjore e Kuvendit nuk jep interpretim në kërkesën e KOSTT-it për mbulimin e shpenzimeve të rrymës në veri

Drejtoria për Shërbime Juridike dhe Përafrim të Legjislacionit e Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se nuk është kompetente për të dhënë një opinion ligjor për një rekomandim të propozuar nga Komisioni për Ekonomi, e më pas i miratuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në lidhje me mbulimin e shpenzimeve mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“DShJPL arrin në përfundim se nuk ka kompetencë që të bëjë interpretim autentik të një rekomandimi i cili është nxjerrë nga vet parashtruesi i kërkesës për opinion, që rezulton të jetë kjo përbërje nga po e njëjta legjislaturë. Për më tepër për çështjen e njëjtë kemi edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në opinionin e kësaj drejtorie të Kuvendit të Kosovës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Në rekomandimin e 4-të, për të cilin është kërkuar interpretim e i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës thuhej “Autorizohet NP KOSTT t’i mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat e vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan sipas zgjedhjes së prezantuar dhe miratuar në Komisionin Funksional, duke i shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetjak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga dividenta, apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.

Po ashtu, Drejtoria për Shërbime Juridike dhe Përafrim të Legjislacionit e Kuvendit të Kosovës ka shkruar se interpretimi i rekomandimeve duhet të bëhet në tërësi për shkak të lidhshmërisë së 5 rekomandimeve, të cilat janë votuar më 6 maj të vitit 2021.

Komisioni për ekonomi më 14 shkurt e ka shqyrtuar kërkesën e KOSTT-it në lidhje me mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Pas pranimit të kërkesës nga KOSTT, Komisioni për Ekonomi e ka dërguar kërkesën për interpretim te Drejtoria për Shërbime Juridike dhe Përafrim të Legjislacionit e Kuvendit të Kosovës më 22 shkurt 2022.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, ka thënë për KALLXO.com se KOSTT i ka përmbushur obligimet që i kishte marrë nga rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës, ku kërkohej nga ta që të mbulonin shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për një periudhë 6-mujore.

“Për periudhën 6 mujore KOSTT i ka kryer obligimet sipas rezolutës së Kuvendit. Por tash kur rezoluta i ka kaluar 6 muaj, i ka kaluar 9 muaj dhe KOSTT ka dilemë dhe mungesë financiare për të kryer obligimet në pjesën veriore dhe ka paqartësi juridike. Në këtë relacion KOSTT ka kërkuar interpretim prej komisionit. Ne nuk mund ta interpretojmë dhe e kemi dërguar në zyrën juridike të Kuvendit. Zyra juridike nuk ka marrë përgjegjësi dhe ne i kemi kthyer sërish KOSTT përgjigjen që ka ardh nga interpretimi i zyrës juridike”, tha Shala për KALLXO.com.

Komisioni votoi unanimisht që opinionin ligjor t’ia përcjellë KOSTT-it.

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstentim, më 6 maj 2021, Kuvendi i Kosovës miratoi 5 rekomandime e Komisionit për Ekonomi, që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 6 muajt e ardhshëm.

  1. NP KOST duhet të paraqesë para Komisionit Funksional në baza mujore devijimet e energjisë elektrike në këto komuna: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, për gjashtë muajt e ardhshëm, duke filluar nga muaji prill 2021.
  1. NP KOST të paraqesë në Komisionin Funksional shpenzimet e energjisë elektrike në baza mujore retroaktivisht prej datës 1 janar 2018 deri më 1 prill 2021.
  1. NP KOST duhet të paraqesë në Komisionin Funksional zgjidhje mujore për devijimin e energjisë elektrike në katër komunat e Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.
  1. Autorizohet NP KOSTT t’i mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat e vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan sipas zgjedhjes së prezantuar dhe miratuar në Komisionin Funksional, duke i shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetjak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga dividenta, apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.
  1. Obligohet Qeveria e Kosovës që brenda afatit gjashtëmujor të sigurojë gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për faturimin e konsumatorëve në katër komunat e Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan me energji elektrike.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që urgjentisht t’ia largojë obligimin e mbulimit të humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

KOSTT ka paralajmëruar se një gjë e tillë mund të sjellë falimentimin e këtij institucioni në tremujorin e parë të vitit 2022.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KOSTT ka thënë se vetëm për muajin nëntor dhe dhjetor ka paguar mbi 18 milionë euro humbje të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës ka thënë se ka dërguar shkresë tek të gjitha palët relevante në lidhje me likuiditetin financiar të kompanisë si pasojë e obligimit të humbjeve nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar nga ana e qytetarëve në veri të Kosovës.

Por që deri më tani ky institucion nuk ka pranuar përgjigje nga askush.

“Deri më tani ende nuk ka përgjigje në lidhje me mbulimin e kostove të pjesës veriore të Kosovës. KOSTT rithekson që është e drejtë e patjetërsueshme që të gjithë qytetarët e Kosovës të furnizohen me energji elektrike por edhe obligim i qytetarëve që të paguajnë shërbimin e pranuar. Andaj, zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme e situatës në pjesën veriore të vendit, e cila e zgjidh problemin e furnizimit dhe arkëtimit në një afat të shkurtër, është e domosdoshme”, kanë thënë nga KOSTT për KALLXO.com.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka aprovuar mbi 38 milionë euro të Hyra të Lejuara Maksimale për KOSTT për vitin 2022 përkundër që ky institucion kishte kërkuar që të ketë të hyra mbi 44 milionë euro.

Kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 kap vlerën prej 40,849,659 euro.

Që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë. Deri në vitin 2017, energjia elektrike e shpenzuar në këto katër komuna iu është faturuar qytetarëve që i kanë paguar faturat e energjisë elektrike. Faturat e qytetarëve të Kosovës ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE. Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim.

Edhe pse kanë kaluar 1 vjet që nga dorëzimi i aplikacionit të kompanisë “Drustvo Elektrosever” në ZRrE, aplikacioni ende nuk është shqyrtuar edhe pse tashmë bordi është fundksional.Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë.

Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vetë energjetik, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.