Zyra Kombëtare po merret me raportin e programit për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka njoftuar se Zyra Kombëtare ka filluar të merret edhe me auditimet e informatave të klasifikuara.

Ajo tha se kanë filluar të merren me raportin e programit për mbrojtjen e të akuzuarve potencial në Hagë.

Spanca tregoi se këtë raport e kanë dërguar te kryetarja e Komisionit Hykmete Bajrami dhe te ministrja e Drejtësisë.

“Ne kemi ndërmarrë masa që të fillojmë me auditimet e informatave te klasifikuara. Kjo është në kuadër të ligjit të klasifikuar si e kufizuar. Prej anës tonë si auditor, kërkon vetëm nënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit dhe normal secili që ka qenë i ngarkuar përfshirë edhe përkthyesi e ka nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit”, tha ajo.

Spanca shtoi se në të kaluarën informatat e klasifikuara në momentin që zyrtarët e organizatave buxhetore i kanë thënë auditorëve që janë të klasifikuara ajo ka mbetur e pa audituar dhe pa shpalosur në raport pa kërkuar vendim të shkruar nëse informata me të vërtetë është e klasifikuar ose jo.

“Ne kemi filluar me këtë nivel informata të kufizuara… Qëllimi jonë është të fillojnë gradualisht”, shtoi Spanca.

Sipas saj sa i përket shqyrtimit tha se do ta dërgojnë në komision dhe se janë të gatshëm të raportojnë.

“Nuk është publik është dërguar vetëm te zonja Bajrami dhe te komision”, shtoi Spanca.