Zyra Kombëtare e Auditorit: Përcaktimi i tarifave nga rregullatorët nuk përputhet me shpenzimet reale

 

Zyra Kombëtare e Auditorit prezantoi raportin e performancës së rregullatorëve. Qëllimi i mbajtjes së këtij prezantimi ishte të dihet nëse po aplikohet një sistem funksional për përcaktimin e tarifave për shërbimet publike, i bazuar në standarde dhe analiza të duhura.

Vlora Spanca, nga Auditori i përgjithshëm tha së ka mangësi në rezultate, si dhe prezenca e qytetarëve është mjaft e ulët.

“Shërbimet publike duhet të jenë në funksion të qytetarëve, si dhe këta qytetarë duhet të paguajnë tarifë që është në të mirë të të gjithëve”, tha Spanca.

Myrvete Gashi, udhëheqëse e Departamentit të Auditimit të performancës tha se këto të dhëna përfshijnë gjetjet nga viti 2016-2018 si dhe kanë disa rekomandime për qeverinë dhe 20 autoritetet që përcaktojnë tarifa.

“Periudha e auditimit ka përfshirë vitet 2016-2018, bashkë më ZRE-në, ngrohtoren në Prishtinë dhe Gjakovë. Gjithashtu në kemi 3 rekomandime për qeverinë, kurse 20 për autoritetet tarifore”, tha ajo.

Fikret Ibrahimi udhëheqës i këtij ekipi prezantoi një analizë të gjetjeve nga auditimi për përcaktimin e tarifave të energjisë elektrike, termike dhe të ujit.

Është identifikuar se kategoritë sociale dhe konsumatorët tjerë familjarë me nevoja të veçanta nuk janë duke u trajtuar për shërbimet e ujit dhe energjisë termike.

Ofruesit e shërbimeve sociale të ujësjellësit, energjisë termike dhe energjisë elektrike duhet të identifikojnë personat të cilët për shkak të statusit të tyre social, kanë të drejtë për t`u furnizuar me këto shërbime me kushte të veçanta dhe në bashkëpunim me autoritetet rregullative përkatëse faturat e tyre të paguhen nga organet kompetente të mirëqenies sociale.

Nga skema e ndihmës sociale përfitojnë 24,767 mijë familje, kurse qeveria ndan rreth 4 milionë euro për rastet sociale direkt te kompania e energjisë dhe për ujërat rreth 2 milionë në vit.

Kurse sa i përket tarifave për energji elektrike dhe ujë, për konsumatorët e liruar nga pagesa nuk janë përcaktuar bartësit e shpenzimeve të ujit. Për zonat e rrezikuara mjedisore nuk është caktuar një kuotë më e ulët e tarifës.

Qeveria në bashkëpunim me ZRRE duhet të sigurojë një kuotë më të ulët të çmimit për energji elektrike për banorët e zonës së rrezikuar të Obiliqit.

Procesi i konsultimeve publike për përcaktimin e tarifave nuk ka qenë gjithëpërfshirës. Në proces do duhet të përfshiheshin të gjitha palët e interesit dhe me fokus të veçantë të konsumatorëve.

Humbjet teknike dhe komerciale të energjisë nuk janë aplikuar në mënyrë të përshtatshme në tarifa. Në sistemet energjetike me humbje nënkuptohet dallimi në mes të energjisë elektrike dhe termike të futur në sistem dhe energjisë së shpërndarë tek konsumatorët fundor, të cilat përbëhen nga humbjet teknike dhe humbjet jo-teknike (komerciale).

Humbjet e ujit gjithashtu nuk janë reflektuar në mënyrë të përshtatshme në tarifa.

Autoriteti Rregullativ duhet të përpilojë politika tarifore për shërbimet e ujit duke marrë parasysh edhe caqet për reduktimin e humbjeve të ujit.

Faturimi për shërbime të ujësjellësit dhe energjisë termike në disa raste është bërë pa njehsorë. Niveli i borxhit të keq i aprovuar për tarifat e energjisë elektrike dhe termike nuk është argumentuar mirë.

Të hyrat e KRU-ve nuk janë realizuar bazuar në metodologjinë.

Rritja e investimeve kapitale në sektorin e energjisë termike përmes tarifave është bërë pa analiza të duhura, shpenzimet e zhvlerësimit janë mbivlerësuar gjë që ndikon në rritjen e tarifës.

NQ ‘Termokosi’ ka gjeneruar kthim më të lartë në asete në raport me normën e aprovuar.

Norma e kthimit të lejuar ka qenë ndryshe në mes të rregullatorëve.

ARRU dhe ZRRE si autoritete të pavarura përgjegjëse për përcaktimin e tarifave të shërbimeve të ujit, energjisë elektrike dhe termike në Kosovë kanë zhvilluar metodologji dhe në kuadër të shqyrtimit tarifor kanë përcaktuar tarifat e shërbimeve publike përkatëse. Megjithatë përkundër progresit të bërë nga rregullatorët përcaktimi i tarifave për shërbimet publike nuk është bërë në plotësi sipas kritereve të matshme dhe në përshtatje me shpenzimet reale dhe relevante. Po ashtu gjatë procesit të përcaktimit të tarifave, rregullatorët nuk kanë arritur të sigurojnë transparencë të mjaftueshme si dhe vendosje plotësisht të drejtë dhe të saktë të tarifave.