Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës dhe të Suedisë nënshkrujnë memorandum bashkëpunimi

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka nënshkruar memorandumin Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” me Zyrën e Auditorit të Suedisë.

Ky memorandum sipas ZKA-së ka për qëllim  forcimin e kapaciteteve për të përgatitur raporte të auditimit të performancës me cilësi të lartë dhe të dobishme për shoqërinë.

“Mundësia për të marrë përvojat suedeze është një rast unik për të përfituar dije dhe ngritur kapacitetet tona në fushën e auditimit të performancës dhe në modernizimin e organizimit institucional të ZKA-së. Do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar që të maksimizojmë përfitimin nga ky projekt dhe të ecim krah për krah me Institucionet Supreme të Auditimit në Evropë për sa i përket modernizimit të proceseve dhe kryerjes së auditimeve cilësore”, tha Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës.

Ndërkaq, nga Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, Helena Lindberg ka përgëzuar Osmanin për anëtarësimin e ZKA në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit.

“Jam shumë e lumtur që vazhdojmë tutje këtë bashkëpunim mes zyrave tona. Ky vërtetë është një bashkëpunim mes kolegësh, ku stafi i të dyja organizatave tona mësojnë nga njëri-tjetri. Dëshiroj të përgëzoj kolegun tim z.  Osmani për anëtarësimin e ZKA-së së Kosovës në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Pres me padurim që të kemi bashkëpunime me ZKA-në e Kosovës në forumet evropiane të EUROSAI-t dhe në forumet botërore të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ”, tha ajo.