Zyra Kombetare e Auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit lanson Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka lansuar sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit i quajtur Sistemi Informativ i Auditimit – SITA. SITA është sistem në pronësi të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe është zhvilluar duke u bazuar në metodologjitë përkatëse të auditimit që zbaton ZKA-ja.

“Ky sistem është një mjet i shkëlqyeshëm për të siguruar aplikim më efikas të metodologjisë audituese, për të rritur produktivitetin si dhe për të garantuar cilësi, veçanërisht në auditimet komplekse ku kërkohet siguri e lartë dhe pajtueshmëri me standardet, ligjet dhe rregulloret”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Sistemi Informativ i Auditimit do të lejojë që auditorët në mënyrë të automatizuar të kenë qasje në informacionin e nevojshëm në një kohë të shkurtër si dhe të përdorin një numër metodash dhe të bëjnë llogaritjet audituese në mënyrë efektive dhe efikase në krahasim me metodat e punës tradicionale.

Zyra Kombëtare e Auditimit bën të ditur që nga janari i këtij viti, janë mbajtur me dhjetëra sesione punuese nga personat përgjegjës të ZKA-së, me qëllim të analizimit dhe diskutimit në hollësi të të gjitha letrave të punës për të gjitha llojet e auditimit para se ato të vendosen në sistem.

“Përveç testimeve formale të funksionaliteteve të sistemit, ekipet e zgjedhura të auditimit kanë bërë edhe testimin detaj të secilit modul, duke praktikuar në pikat kyçe gjithë ciklin auditues. Ky testim ka zgjatur disa ditë dhe ka ofruar sigurinë se mund të shkohet tutje në zbatim të sistemit në punën reale, dhe se vënia në përdorim e tij lehtëson në masë të madhe punën e auditorëve si dhe rrit cilësinë dhe transparencën në proceset e punës”, potencohet në njoftimin e ZKA-së.

Nga data 5 deri me 16 tetor stafi auditues po ndjek trajnimet online për të mundësuar kalim më të lehtë në metodën e re të punës.

“Gjatë trajnimeve auditorët kanë mundësi të ndjekin udhëzimet dhe videot e përgatitura, të realizojnë ushtrimet praktike dhe të diskutojnë me trajnerët apo me njëri tjetrin”, njofton ZKA.

Zyra Kombëtare e Auditimit e fillon vitin e ri auditues 2020/2021 duke zbatuar sistemin elektronik të auditimit, i cili mundëson digjitalizim të plotë të gjithë punës audituese për të gjitha fazat e auditimit.

Sistemi Informativ i Auditimit – SITA është zhvilluar nga Konsorciumi “Infosoft Systems” nga Prishtina dhe “Enter doo” nga Ohri.

“Çdo modul i zhvilluar është prezantuar pas implementimit në sistem dhe janë vlerësuar të gjitha dobitë dhe avancimet që funksionet e sistemit mundësojnë për punën audituese. Një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve punuese janë zhvilluar në kushte të pandemisë dhe ka qenë mjaft sfiduese për ekipin që një projekt i këtyre përmasave të realizohet suksesshëm përmes punës nga distanca”, përfundon njoftimi i ZKA-së.