Debat për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit në Ferizaj

Zyra Kombëtare e Auditimit: Komuna e Ferizajt nuk ka dorëzuar raportin e progresit në afat ligjor

Sot është mbajtur debati për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit në Ferizaj me qëllim të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimin e financave publike.

Bujar Bajraktari nga Zyra Kombëtare e Auditimit tha se deri me 30 shtator komuna e Ferizajit ka qenë e obliguar ta përgatis një raport të progresit  për progesin e  zbatimit të rekomandimeve të auditorit, por këtë raport komuna ende nuk e ka dorëzuar.

Drejtoresha për Financa, Sebahate Ajeti-Sadiku tha se për shkak të mungesës së personave përgjegjës si pasojë   COVID-19 e kanë vonuar këtë raport, të cilin deri në fund të javës do ta dorëzojnë.

Bajraktari tha se në raportin e auditimit për komunën e Ferizajit opinioni ka dalur i pamodifikuar me theksim të çështjes, për shkak të keq klasifikimit të shpenzimeve që kanë ndodhur nga pagesat direkt nga thesari përmes procedurave të  përmbarimit.

Ai tha se në raport i kanë dhënë 20 rekomandime për të hyrat, shpenzimet, menaxhimin e pasurimeve, detyrimeve etj., pesë më pak se në vitin e kaluar.

Sipas tij nga 25 rekomandimet komuna ka plotësuar gjashtë plotësisht, dy pjesërisht dhe 12 rekomandime nuk janë plotësuar fare.

Visar Prebreza nga BIRN tha përsëritjet e mangësive dhe mosplotësimit të rekomandimeve për prokurimin nga komuna  e Ferizajit janë alarmante.

“Duhet të jenë alarm për komunën e Ferizajit për mbikqyrje. Jo vetëm procedurat por fokusi nga hartimi i buxhetit deri te nënshkrimi i kontratës” tha Prebreza.

Prebreza tha se Komuna e Ferizajit ka numër të lartë të borxheve të trashëguara të detyrimeve që ka ndaj operatorëve dhe auditori ka gjetur që ka pas shumë pagesa përmes gjykatës edhe fatura të viteve 2010 dhe 2012.

“Nëse komuna nuk i mbledh borxhet me kohë disa të hyra vetanake që ishte dashtë të shkojnë në projekte kapitale qëndrojnë në duart e disa personave që nuk kryejnë obligime ndaj komunës” tha ai.

Arton Gavazi- nënkryetar i komunës së Ferizajit tha se auditori është i fokusuar pasqyrat vjetore financiare, menaxhimin financiar dhe kontrollin dhe zbatimin e rekomandimeve të vitit paraprak.

Gavazi tha se për këto shkelje komuna ka marrur masa ndaj personave përgjegjës por ndaj sa personave ai nuk ishte në dijeni.

“Ka marrë masa të caktuar Komuna, i ka ndërruar vendin e punës. Në rast se ka ndodhur shkelje te Zyra e Prokurimit i është ndërruar vendi ka dalur në sektor tjetër” tha ai.

Sipas drejtoreshës së Drejtorisë se Financave Sebahate Ajeti-Sadiku,  keq klasifikimi ka ndodhur si pasojë e borxheve të trashëguara.

Ajo tha se si rrjedhojë e kësaj ato vendime që janë përmbushur nga operatorët ekonomik dhe vendimet e  gjykatave që kanë të bëjë me pagat jubilare kanë qenë vendime të viteve 2010 dhe 2012.

“Ka qenë lëndë në vazhdimësi në Gjykatën e Ferizajit deri në momentin kur gjykata ka marrur vendim në favor të palës. Ka qenë një rast për një ish-drejtor i QKMF-së padrejtësisht është larguar nga puna në vitin 2007 dhe si rrjedhojë e kësaj procesi ka vazhduar në gjykatë. Në momentin kur është marrë vendimi ai është bërë i plotfuqishëm dhe komuna ka qenë e obliguar të bëjë pagesën. Në mungesë të mjeteve ka shkuar tek përmbaruesi” tha Ajeti- Sadiku.

Ajo tha se theksimi i çështjes në pasqyrat financiare ka ndodhur se nuk kanë bërë shpalosjen konkrete se sa mjete janë marrur nga investimet kapitale për pagesën e e një kategorie tjetër për shembull si pagat jubilare.

Ish-kryetari i Ferizajit Muharrem Sfarqa, tha se  komuna  po përjashtohet nga grantet dhe mundësitë e marrjes së kredive për shkak të kualifikimeve.

“Ka munguar aftësia jonë për të marrë përgjegjësinë e këtyre mjeteve. Askush nuk e merr përgjegjësinë që t’i paguaj punëtorët e arsimit por ne nuk i kemi planifikuar këto mjete në buxhetin e komunës së Ferizajit” tha ai.

Drejtor i Urbanizmit, Lulëzim Aliu tha se ky problem është burokratik dhe se nuk është problemi tek keq menaxhimi por te keq planifikimi.

“Duhet të trajnohen drejtorët. Ligji duhet me qenë ligj i saktësuar jo si tash që nuk dihet kush e bënë pagesën e kush jo” tha ai.