Zyra Kombëtare e Auditimit anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit wshtw anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit

“Kjo është një arritje kulminante, meqenëse anëtarësimi në INTOSAI na bënë partnerë të barabartë dhe vendimmarrës në rrafshin ndërkombëtar”, tha Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në konferencën për media të mbajtur sot.

Në gusht 2019, Bordi drejtues i INTOSAI-it ka miratuar me shumicë votash anëtarësimin me të drejta të plota të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë, në mënyrë efektive nga data 1 janar 2020.

INTOSAI është një organizatë e pavarur, profesionale dhe jopolitike e themeluar si një institucion i përhershëm. Vepron si një organizatë ombrellë për komunitetin e auditimit të sektorit publik dhe ka status të posaçëm konsultativ me Këshillin Ekonomik dhe Social (ECOSOC) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme me 8 maj 2018. Pas një procesi të verifikimit dhe angazhimit intensiv është rikonfirmuar nga instancat relevante ndërkombëtare se ZKA-ja i plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe administrative të përcaktuara me Statutin e INTOSAI-t, për të qenë anëtarë me të drejta të plota në këtë institucion.

Ky rezultat është kurorëzim i punës së jashtëzakonshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit, institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes së partnerëve të ZKA-së.

Pjesëmarrja e Zyrës Kombëtare të Auditimit në strukturat e INTOSAI-t promovon përveç tjerash qeverisjen e mirë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe ngritjen e kompetencës profesionale.

Zyra Kombëtare e Auditimit, është institucion i pavarur, që ushtron mandatin e saj të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj, në pajtueshmëri me standardet profesionale të auditimit dhe kodit të brendshëm të etikës e sjelljes profesionale.

Në baza vjetore kryen auditimin e detyrueshëm të rregullsisë për Buxhetin e Qeverisë së Kosovës të të gjitha organizatave buxhetore, të cilat pranojnë buxhet përmes ligjit vjetor të buxhetit, si dhe të Ndërmarrjeve publike. Po ashtu, ZKA-ja bënë auditime të performancës, si dhe ka të drejtën që në çfarëdo kohe të kryejë auditime tjera, të ndryshme nga auditimet e rregullsisë për fondet e dhëna nga buxheti për një institucion apo organizatë, si; fondet publike për partneritet publiko-privat; huatë dhe kreditë e detyrimet e garantuara nga entitetet e sektorit publik.

Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit promovojnë drejtpërdrejt llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’iu kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore.