Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin.

Veseli së bashku me ish -krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, po akuzohen për krime lufte si vrasje, tortura e keqtrajtim, në bazë të përgjegjësisë komanduese.

Lidhur me masën e paraburgimit, ZPS-ja ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku i arratisjes.

“Provat në vazhdimësi që i janë zbuluar Veselit në lidhje me mundësinë e një dënimi, mund të ofrojnë nxitjen që të marrë fonde dhe mjete për të udhëtuar dhe përfundimisht t’i shmanget procedurave të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Prokuroria më tej ka vlerësuar se ekziston rreziku i pengimit të procedurave të Dhomave të Specializuara.

“Kjo bazohet, ndër të tjera, në një vlerësim të kombinuar të klimës së vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vullnetit dhe aftësisë së demonstruar të Veselit për të ndërhyrë në çështje të tilla, dhe ndërgjegjësimit të tij të shtuar për provat themelore”, thekson ZPS.

ZPS ka konsideruar se duke e ditur statusin publik dhe ndikimin e Kadri Veselit në të kaluarën, ai mund të ndikojë në hetime.

“Veseli është themelues i UÇK-së dhe Shtabit të Përgjithshëm. Ai është ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai është një nga zyrtarët më me përvojë të inteligjencës në Kosovë, shefi i mëparshëm i shërbimeve inteligjente të UÇK-së dhe i Shërbimit Informativ të Kosovës (‘SHIK’). Kolegji i Apelit ka vërtetuar konstatimin e gjyqtarit të procedurës paraprake se ndikimi i Veselit rrjedh nga njohuritë, aftësitë dhe kontaktet që ai ka fituar në pozitat e tij të mëparshme lidhur me inteligjencën”, thuhet në vijim.

Prokuroria tutje ka argumentuar rrethana të tjera që Kadri Veseli mund ta pengojë drejtësinë.

“Anëtarët e SHIK-ut përgjegjës ndaj tij ishin të përfshirë në vëzhgimin, kërcënimin dhe ryshfetin e dëshmitarëve që dëshmonin kundër ish-anëtarëve të UÇK-së në TPNJ. Veseli gjithashtu ka një aftësi të demonstruar për të dhënë udhëzime për ata që ishin të përfshirë në ndërhyrje të mundshme kundër dëshmitarëve të ZPS-së”, thuhet tutje.

ZPS-ja ka pretenduar se asnjë kusht i lirimit në Kosovë nuk mund të zbusë rreziqet e veçanta në fjalë.

Aktakuza e Prokurorisë i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për veprat penale që lidhen me krime lufte, si: ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje.Sipas Dhomave të Specializuara, këto krime janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Ndërkaq, në prill të këtij viti, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte në konviktin e Gjilanit, në Budakovë dhe Semetisht.

Akuza të reja mbi katër krerët e UÇK-së, përmenden edhe arrestimet politike