Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Zyra e Prokurorit të Specializuar falenderon mediat që nuk i publikuan dosjet e dorëzuara në zyret e OVL të UÇK-së

Zyra e Prokurorit Special ka reaguar pas rasteve të dorëzimit të mijëra dosjeve të kësaj Gjykate nga persona ende të panjohur në zyret e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në deklaratën e lëshuar për media, kjo Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzimin e dosjeve në zyret e OVL të UÇK-së e ka quajtur tentim për ta minuar administrimin e drejtësisë në mënyrën e duhur.

“Gjatë këtyre javëve të fundit zyra ime ka marrë shumë pyetje nga gazetarët në lidhje me deklarata të  bëra nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e cila në një numër rastesh është përfshirë në aktivitete që unë besoj se kanë për qëllim të minojnë administrimin në mënyrën e duhur të drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Kjo gjykatë gjithashtu ka theksuar se është për t`u lavdëruar profesionalizmi i gazetarëve kosovar, të cilët nuk kanë pranuar që t`i publikojnë dosjet të cilat janë dorëzuar në zyret e OVL të UÇK-së.

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të lavdëruar gazetarët me etikë në të gjithë Kosovën të cilët nuk kanë pranuar të botojnë dokumentet që iu dhanë, si dhe numrin e madh të gazetarëve të cilët vullnetarisht na kanë dhënë dokumentet që ata morën nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së dhe kanë pranuar publikisht se pjesëmarrja në shpërndarjen e një informacioni të tillë mund të ishte krim sipas Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë që gjatë këtij muaji për tri herë radhazi persona ende të panjohur kanë dorëzuar mijëra dosje të Gjykatës Speciale, brenda së cilave gjenden edhe emra të dëshmitarëve të mbrojtur në zyret e OVL të UÇK-së.

Deklarata e plotë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar:

22 shtator 2020

Deklaratë për shtyp

Gjatë këtyre javëve të fundit zyra ime ka marrë shumë pyetje nga gazetarët në lidhje me deklarata të  bëra nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e cila në një numër rastesh është përfshirë në aktivitete që unë besoj se kanë për qëllim të minojnë administrimin në mënyrën e duhur të drejtësisë.

Gjatë kësaj kohe unë kam vënë re gjithashtu profesionalizmin e lavdërueshëm dhe integritetin etik të gazetarëve të Kosovës dhe komentatorëve të tjerë publikë, shumë prej të cilëve kanë folur qartë se si aktivitete të tilla minojnë sundimin e ligjit dhe kursin e drejtësisë.

Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të lavdëruar gazetarët me etikë në të gjithë Kosovën të cilët nuk kanë pranuar të botojnë dokumentet që iu dhanë, si dhe numrin e madh të gazetarëve të cilët vullnetarisht na kanë dhënë dokumentet që ata morën nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së dhe kanë pranuar publikisht se pjesëmarrja në shpërndarjen e një informacioni të tillë mund të ishte krim sipas Kodit Penal të Kosovës.

ZPS-ja është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht me forcë individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre.

Gjatë këtyre javëve të fundit zyra ime ka marrë shumë pyetje nga gazetarët në lidhje me deklarata të  bëra nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e cila në një numër rastesh është përfshirë në aktivitete që unë besoj se kanë për qëllim të minojnë administrimin në mënyrën e duhur të drejtësisë.