FOTO: Thaçi, Veseli, Selimi, dhe Krasniqi në Gjykatën Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzon aktakuzën e ndryshuar në gjykimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ditë më parë ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Kjo aktakuzë është bazuar në vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 22 korrik dhe 29 shtator 2022.

Paraprakisht më 29 shtator gjykatësi ka miratuar kërkesën e prokurorit për tërheqjen e pretendimeve për krime në territorin e komunës së Ferizajt.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarët e Parlamentit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, po përballen me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit përfshirë këtu ndalime të paligjshme, tortura, vrasje, zhdukje me forcë dhe persekutim.

Më 30 shtator të këtij viti Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar aktakuzën e ndryshuar.

Aktakuza përbëhet nga dhjetë pika me të cilat të akuzuarit po ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi e dinin apo kishin dijeni për krimet se ishin gati të kryheshin apo janë kryer nga vartësit e tyre.

Prokuroria më tej pretendon se të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar krimet e tilla apo për të ndëshkuar autorët e krimeve.

Sipas aktakuzës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: Pika 1: persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit. Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit. Pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte” – thuhet në aktakuzë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën – akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit. Kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte.

“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit. Pika 7: torturë, krim lufte. Pika 8: vrasje, krim kundër njerëzimit, Pika 9:  vrasje, krim lufte. Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit” – përshkruhet në aktakuzë.

Në këtë aktakuzë përmenden edhe emra të tjerë si Sylejman Selimi, Fatmir Limaj, Sabit Geci, Lahi Brahimaj, Rrustem Mustafa, Latif Gashi e Shukri Buja.

Aktakuza thotë se si komandant të zonave bashkë me anëtarë të tjerë të UÇK-së, kanë ndaluar persona për periudha të ndryshme kohore në mënyrë të kundërligjshme.

Të arrestuarit sipas Prokurorisë janë lidhur me zinxhirë dhe mbaheshin në dhoma të mbyllura me roje të armatosur.

Më tej aktakuza përshkruan se të arrestuarit u janë nënshtruar rrahjeve të rënda dhe abuzime psikologjike.

Versionin e aktakuzës së ndryshuar, Gjykata Speciale e ka publikuar të premten në web-faqen e saj.

https://repository.scp-ks.org/details.php?doc_id=091ec6e980d458e1&doc_type=stl_filing_annex&lang=eng

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj ish -krerëve të UÇK-së.

Kjo pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, me ç’rast i ka zgjeruar akuzat për krime lufte, torturë dhe vrasje të paligjshme. Këto krime sipas Prokurorisë janë kryer edhe në konviktet e Gjilanit, në Budakovë dhe Semetisht.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë LINK.