Zyra e Prokurorit të Specializuar do të thërrasë 19 dëshmitarë në rastin ndaj Pjetër Shalës

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të thërrasë 19 dëshmitarë në gjykimin për krime lufte ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës.

Ky njoftim vjen pas vendimit të trupit gjykues për kryerjen e procedurave në rastin e Shalës, në të cilin ZPS-së i është caktuar 53.5 orë kohë për të paraqitur provat e saj.

“Trupi gjykues I, në vendimin e tij mbi kryerjen e procedurave në gjykimin ndaj Shalës, ndër të tjera, i ka caktuar ZPS-së 53,5 orë për të paraqitur provat e saj. ZPS-ja do të thërrasë 19 dëshmitarë. Mbrojtjes dhe ZPS-së do t’u caktohet përqindja e njëjtë e kohës për të marrë në pyetje një dëshmitar të ZPS-së”- thuhet në njoftim.

Në njoftim më tej bëhet e ditur se mbrojtësit të viktimave do t’u caktohet 25 për qind e kohës faktike të përdorur nga ZPS-ja.

Trupi gjykues gjithashtu ka caktuar seancat shtesë për 19 maj dhe 16 qershor dhe e ka anuluar seancën e 30 qershorit.

Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po  gjykohet për krime lufte.

Ai ngarkohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje në Kukës,  në një fabrikë metali për të cilën aktakuza pretendon se u përdor nga UÇK-ja si qendër paraburgimi.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Krimet u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave të ndaluar.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020, të  redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Tutje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

yra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Shkrimet e tjera lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.