Foto: ZP

Zyra e Presidentit: Thaçi e Kosnett janë pajtuar që qeveria e re duhet formuar bazuar në Kushtetutë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thuhet se ka pasur një shkëmbim të hapur pikëpamjesh me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në një takim të mbajtur sot në Zyrën e Presidentit.

Siç njofton Presidenca, Thaçi dhe Kosnett kanë shprehur respektin më të lartë për përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për ta luftuar virusin COVID-19.

Në këtë takim është folur edhe për seancën e së mërkurës të Kuvendit, në të cilën u rrëzua Qeveria e Kosovës.

“Presidenti Thaçi theksoi se seanca e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur të mërkurën më 25 mars, që në agjendë kishte Mocionin e Mosbesimit për Qeverinë e Kosovës, ka konfirmuar edhe njëherë standardin e lartë të demokracisë në shtetin tonë, si dhe respektin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, thuhet në njoftim.

Mes tjerash theksohet, se presidenti dhe ambasadori Kosnett janë pajtuar që procedurat e mëtutjeshme për formimin e një qeverie të re duhen bazuar plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur rolin vital të Gjykatës Kushtetuese në këtë proces.

“Presidenti Thaçi përsëriti që Kosova është e bekuar me miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila vetëm po forcohet në këto kohë të vështira për të dyja vendet”, përfundon komunikata.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua me 25 mars nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas kësaj, qeveria vazhdon punën në detyrë deri në formimin e ekzekutivit të ri.

Ndërkaq, sipas Kushtetutës së Kosovës, kompetencat tanimë i takojnë presidentit, nëse do të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme duke shpërndarë Kuvendin, apo duke iu drejtuar përmes një letre partisë fituese të zgjedhjeve të fundit, që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje, për t’ia kërkuar një emër për mandatarin e ri për formimin e qeverisë.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se nga e hëna e javës së ardhshme do t’i ftojë liderët e partive politike në takim për t’u konsultuar lidhur me mundësinë e formimit të qeverisë së re.

Thaçi shtoi se fokusi i tij është që në çdo rrethanë të eliminohet mundësia për zgjedhje të reja dhe për shpërndarjen e Kuvendit.