Zyra e Presidentes blen bredha dhe dekore për festat e fundvitit në vlerë 950 euro

Zyra e Presidentes së Kosovës ka blerë bredha dekorativë dhe drita e dekore të tjera në vlerë 950 euro për festat e fundvitit.

Kontrata i është dhënë kompanisë “Finesë Events” me kuotim të çmimit.

Përmes kësaj kontrate ata kanë blerë 2 bredha dekorativë, 20 drita dekoruese me gjatësi nga 10 metra, në total 200 metra dhe me mundësi vazhdimi; 20 shirita gjelbëruese me 20 centimetra gjerësi dhe 270 metra gjatësi dhe 3 dekore të ndryshme ngjyrë ari, me madhësi të ndryshme (sasia për tre bredha 240 cm).

Ky tender është iniciuar më 1 dhjetor dhe dy ditë më pas, më 3 dhjetor, është nënshkruar kontrata.

Zyra e Presidentes së Kosovës e ka pranuar vetëm një ofertë për këtë tender, atë të “Finesë Events” dhe ajo është shpallur e përgjegjshme dhe fituese e kontratës.

Fillimisht, vlera e parashikuar për tenderin për bredha dekorativë ishte 990 por ajo është nënshkruar për 40 euro më pak, apo për 950 euro.

Blerja e bredhëve dekorativë dhe dekorimeve të tjera është bërë me vetëfinancim dhe nga buxheti i Kosovës.