Zyra e kryetarit të Skenderajt rinovohet e mobilohet nga ‘njerëzit e vullnetit të mirë’

“Njerëzit e vullnetit të mirë” kanë shpenzuar goxha shumë për të rinovuar dhe mobiluar zyrën e kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura.

Vetëm 2 javë pasi Nura e ka pranuar postin e kryetarit nga Bekim Jashari, zyra e tij është rinovuar tërësisht. Në fotografit e publikuara nga Nura me datë 15 dhjetor, shihet se janë ndërruar gjitha mobilet. Përveç mobileve, në krye te vendit është vendosur edhe një kaminë.

Muri është veshur me tapeta dekorative. Përveç kësaj janë ndërruar edhe tavolinat e zyrës.

KALLXO.com ka hulumtuar në faqen e prokurimit të hapur për të parë koston e këtij rinovimit dhe të blerjes së atyre mobile, mirëpo nuk ka hasur në ndonjë tender të natyrës së njëjtë që është publikuar në 2 muajt e fundit.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili ka thënë se rinovimi i zyrës nuk është bërë me para të komunës.

Ai ka thënë se gjithë kostoja e rinovimit të zyrës dhe blerjes së mobileve është mbuluar nga “donatorët, njerëz të vullnetit të mirë”.

Nura nuk ka treguar se kush janë këta donatorë, nëse janë biznese apo individ të caktuar.

“Donatorët kanë dashtë me mbet anonim, se kam dashtë edhe unë me i falendëru publikisht, po nuk kanë dashtë”, tha Nura.

Çështja e dhuratave është e rregulluar me “Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë”.

Ilustrimi: Granit Mavriqi/ KALLXO.com

Çështja e pranimit të donacioneve nga institucionet nuk është e rregulluar me ndonjë ligj të veçantë.

Ndërsa, pranimi i dhuratave nga zyrtarët është e rregulluar me “Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë”.

Në bazë të ligjit përcaktohet se një zyrtarë mund të pranojë dhurata të rastit me vlerë deri në njëzetepesë (25) Euro.

“Zyrtari nuk mund të pranoj dhurata të rastit vlera e përgjithshme e të cilave kalon mbi pesëqind (500) Euro brenda vitit”, thuhet në nenin 11 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Ligji kërkon që secila dhuratë të regjistrohet. Nenit 12 i këtij ligji thotë se të gjitha dhuratat e pranuara dhe vlera e tyre përkatëse, si dhe emrat e personave apo institucioneve që kanë dhënë dhuratën, duhet të regjistrohen në regjistrin e dhuratave nga personi zyrtar që përcaktohet nga Agjencia dhe që mbahen nga institucioni, në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën.

Pika 3 e këtij neni thotë se me kërkesën e personit zyrtar që ka pranuar dhuratën, Agjencia Kundër Korrupsionit me vendim mund të lejojë të merret dhurata nëse ekzistojnë arsye bindëse se dhurata i është dhënë për qëllime personale dhe nuk ndikon ose nuk duhet të ndikojë në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas pikës 4, Institucionet përkatëse janë të obliguara të sigurojnë qasjen e publikut në regjistër të dhuratave, në pajtim me procedurat e përcaktuara më Ligjin për qasjen në dokumentet zyrtare.

“Agjencia kontrollon regjistrat e dhuratave dhe në rast të ndonjë devijimi, u kërkon institucioneve të marrin masa për zbatimin e plotë të këtij ligji. Nëse Agjencia konstaton se personi zyrtar i ka shkelur dispozitat e këtij ligji dhe nëse shkelja nuk dyshohet se përbën vepër penale, informon institucionin në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën dhe kërkon që ndaj shkelësit të merren masa disiplinore. Institucioni përkatës duhet ta informojë Agjencinë për masat disiplinore që janë marrë ndaj personit zyrtar”, thuhet në nenin 12 të këtij ligji.

Pika 8 thotë se në raste dyshimi për vepër penale, Agjencia pas hetimeve të kryera, ia paraqet kallëzimin penal prokurorisë kompetente.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) nëse janë deklaruar këto dhurata nga Komuna e Skenderajt, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.