
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit jep detaje për pesë personat që u arrestuan mbrëmë në veri
Prokurori i Shtetit ka ndaluar 5 persona për veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”- njofton Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në lidhje me rastet që ndodhën më 08.02.2025 në veri të vendit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në rastin e parë, njoftohet se Prokurori ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, do të veprojnë me urgjencë në secilin rast që mund të paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor”- shkruan në njoftim.
Prokurori i Shtetit ka ftuar të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
Një ditë më parë, në mbrëmjen e 08.02.2025, Policia e Kosovës, bëri të ditur se janë shoqëruar në dy raste të ndara pesë persona.
Për rastin e parë, katër persona janë shoqëruar në stacion policor pasi dyshohen për shantazh ndaj votuesve në Zubin Potok.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, tha se pasditen e së shtunës (08.02.2025), Policia ka pranuar një informatë nga një qytetar, të cilit përmes telefonit i ishte kërkuar që të votoj për një parti të caktuar.
Sipas Elshanit, dyshohet se thirrja ka ardhur nga qendra për punë sociale në Zubin Potok.
“Pas bastisjes këtij lokacioni janë gjet prova që ndërlidhen me vepren penale, ndërsa me këtë rast 4 persona janë sjellë në stacion të policisë si persona të dyshimt në lidhje me vepren Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”- ka thënë Elshani për KALLXO.com.
Në rastin tjetër, siç njofton Policia, më 08.02.2025, në stacionin policor në Mitrovië të Jugut një person ka raportuar se para një jave e kishte ftuar në takim në një lokal personi i dyshuar dhe i kishte thënë që ta votonte në zgjedhje subjektin politik Listën Serbe.
Në të kundërtën, Polica thotë se ai i kishte thënë se do t’a largonte nga puna vajzën e viktimës, e cila ishte duke punuar në kompaninë publike të pastrimti në Komunë të Mitrovicës së Veriut.
E njëjta, thuhet se ishte dhe kandidate për deputete e një subjekti të këtij komuniteti për zgjedhjet parlamentare.
Po ashtu, Policia thotë se viktima ka deklaruar se i dyshuari i kishte bërë presion që të gjithë bashkëkombësit e ankuesit e nacionalitetit ashkali nga Mitrovica Jug, të votonin subjektin politik Lista Serbe në të kundërtën ai do t’ua ndalonte asistencën sociale dhe do ta largonte nga lista për deputete vajzën e tij përmes lidhjeve që kishte me subjektin politik në fjalë.
Rreth 100 prokurorë të shtetit kujdestarë për procesin zgjedhor