Foto: KALLXO.com

Zyra e Kryeministrit u dha subvencione OJQ-ve që nuk i kanë plotësuar kriteret

Zyra e Kryeministrit u ka dhënë subvencione në vlerë prej 71 mijë eurosh, Organizatave joqeveritare, të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret.

Kjo është gjetja e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin vjetor financiar për ZKM-në, për vitin 2020, të publikuar këtë vit.

Sipas Auditorit, gjatë vlerësimit të aplikacioneve për projektet e OJQ-ve në tri raste prej 71 mijë euro përfituesit nuk kishin përmbushur kriterin specifik lidhur me dëshminë se nuk janë në procedurë të shuarjes dhe çregjistrimit.

Kësisoj Auditorit thekson se ka pasur vlerësim të mangët të aplikacioneve nga komisioni i vlerësimit për OJQ.

“Neni 20 pika 3.3 i Rregullores MF 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve thekson se Komisioni Vlerësues kërkon nga aplikuesit e përzgjedhur në listën e rezultateve paraprake dokumentacionin përkatës ku përfshihet edhe dëshmia se OJQ aplikuese nuk është në procedurë të shuarjes dhe çregjistrimit”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, mungesa e dokumenteve të kërkuara pas shpalljes së rezultateve, preliminare rritë rrezikun që të zgjedhen përfitues të cilët janë në procedurë të shuarjes si dhe zvogëlon mundësinë që të zgjedhen aplikues të tjerë të cilët janë meritor.

“Tejkalimi i shumës së lejuar të kostove ndikon në menaxhim jo të mirë të buxhetit dhe ndikon në mungesën e fondeve për projekte të tjera”, thuhet në raport.