Albin Kurti, Sonja Biserko, Nenad Canak, Mark Baskin, 01.09.2024, foto ZKM
Zyra e Kryeministrit thotë se Kurti u njoftua se Serbia planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me Presidenten e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.
Në takim, sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, u diskuatua për situatën dhe zhillimet në Ballkanin Perëndimor si dhe për shanset e intergimit në NATO dhe Bashkim Europian.
Tutje u fol për raportet mes Kosovës e Serbisë, historinë, aktualitetin dhe të ardhmen.
Në takim ishin edhe Nenad Çanak, politikan serb, bashkëthemelues dhe ish-udhëheqës i partisë së qendrës së majtë, Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës, si dhe Mark Baskin, profesor dhe këshilltar i Qendrës për Dialog Humanitar.
Sipas njoftimit, këta dy të fundit, njoftuan Kurtin se Serbia planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak.
Në njoftim e Kryemnistrisë thuhet se Çanak e Baskin thanë se po ndërtohen shtëpi e banesa për ta si dhe apeluan tek Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë.
Kurti në anën tjetër, thuhet se foli për demokracinë, sundimin e ligjit, barazinë për të gjithë e përfshirjen e komunitetit serb në ekonomi e shoqëri. Ai foli edhe për të drejtat e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
‘Urat e paqes’ e bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë brenda rajonit u përmendën nga Kurti, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Mark Baskin, në një komunikim me KALLXO.com i ka mohuar deklartat të cilat i atribuohen atij në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Ai ka thënë se nuk e ka njoftuar kryeministrin Kurti se ‘Serbia planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, kryesisht të veriut për në Sanxhak”.
Njoftimi i plotë nga Zyra e Kryemnistrit Albin Kurti:
Kryeministri Kurti u takua me Presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko
Prishtinë, 1 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Sonja Biserkon, themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Bashkë me të në takim ishin dhe Nenad Çanak, politikan serb, bashkëthemelues dhe ish-udhëheqës i partisë së qendrës së majtë, Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës, si dhe Mark Baskin, profesor dhe drejtor i Qendrës për Dialog Humanitar.
U diskutua për situatën dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit perëndimor, vullnetin dhe shanset për integrim në BE dhe NATO, e në veçanti për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, historinë dhe aktualitetin si dhe perspektivat për të ardhmen.
Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te Kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë.
Kryeministri Kurti ritheksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë.
Më tej, kryeministri i njoftoi mysafirët e tij për të drejtat që gëzojnë komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, si dhe për përpjekjet që Qeveria po bën për rritjen e mundësive për këto komunitete në shumë fusha si arsimi, punësimi dhe siguria e tyre.
Kryeministri Kurti i falënderoi ata për angazhimin në ndërtimin e urave të paqes e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë brenda rajonit, parime këto evropiane të cilat përqafohen e mishërohen edhe në Republikën tonë.
Shënim, lajmi është edituar tek pozita e Mark Baskin, nga Drejtor në Këshilltar në Qendrën për Dialog Humanitar – i është shtuar edhe komunikimi i Baskin me KALLXO.com, i cili e mohon se ka deklaruar ajo çfarë i atribuohet atij në njoftimin e ZKM-së. Gjithashtu lajmit i është bashkangjitur njoftimi i plotë i Kryeministrisë – Koha e rieditimit – 24:03 – 02.09.2024