Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyra e Kryeministrit kishte paguar mbi 8 mijë euro për bileta të udhëtimit që nuk i shfrytëzoi asnjëherë

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka paguar 10 bileta të udhëtimit jashtë vendit në vlerë 8,190 euro, të cilat nuk i kishte shfrytëzuar asnjëherë.

Kjo është evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për kontratat e centralizuara për shërbimet e transportit ajror për vitet 2016-2019.

Zyra Kombëtare e Auditimit në 90 biletat e audituara në Zyrën e Kryeministrit, ka gjetur se në 10 prej tyre ishte bërë ndryshim i datës së udhëtimit.

Ky ndryshim i kishte kushtuar Zyrës së Kryeministrit 1,228 euro më shumë, ose 128 euro për biletë.

Totali i paguar nga 7,338 euro ishte rritur në 8,567 euro.

Sipas ZKA-së, më pas të gjitha këto bileta ishin anuluar dhe ZKM-ja kishte arritur të rimbursoj vetëm 377 euro, ose më pak se 5% nga shuma totale prej 8,567 euro, që i kishte paguar për këtë udhëtim.

Edhe pse njoftimi për anulim të udhëtimit ishte dërguar 3 ditë para fluturimit, mbi 8 mijë euro ishin paguar për bileta që nuk ishin shfyrtëzuar asnjëherë.

ZKA në raport nuk ka dhënë detaje se kur ka ndodhur kjo vizitë dhe kush ishin vizitorët, mirëpo ky raporti i auditimit e përfshinë periudhën 2016 deri 2019.

Gjatë kësaj periudhe, Kosova kishte Qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Isa Mustafa, të cilën Kuvendi e shkarkoi në maj të vitit 2017 dhe pas zgjedhjeve u formua qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në muajin shtator të vitit 2017, e i cili dha dorëheqje në muajin korrik të vitit 2019.

Shërbimet e transportit ajror për herë të parë janë kontraktuar në mënyrë të centralizuar në vitin 2016. Deri në nëntor 2020, për këtë lloj shërbimi janë lidhur dy kontrata kornizë, njëra tanimë e zbatuar ndërsa e dyta ka afat deri në dhjetor të vitit 2021.

Vlera e realizuar e kontratës së parë ishte afër 5,7 milionë euro ndërsa, me kontratën e dytë deri në janar 2020 ishin shpenzuar afër 3,7 milionë euro nga afërsisht 4,7 milionë euro të parapara të shpenzohen. Përgjegjëse për zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit (që kanë rezultuar me lidhjen e këtyre dy kontratave) është Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Në këto dy kontrata, janë përfshirë organizatat buxhetore të nivelit qendror dhe të nivelit lokal. Fillimisht, në kontratën e parë ishin përfshirë kryesisht organizatat buxhetore të nivelit qendror pastaj në kontratën e dytë ishin përfshirë edhe ato të nivelit lokal.

Për të vlerësuar nëse furnizimi me bileta për shërbimet e transportit ajror është kryer në përputhje me kontratat, ZKA ka audituar një numër të konsiderueshëm të këtyre furnizimeve në organizatat buxhetore në vijim: Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme – përfshirë Policinë e Kosovës si agjenci e saj, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komunën e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe Suharekës.

Raportin e plotë të ZKA-së mund ta gjeni KËTU.