Kryeministri Hoti me drejtuesit e KGjK-së dhe KPK-së - Foto: ZKM

Zyra e Kryeministrit ia huq postit të Makifete Saliukës

Kryeministri Avdullah Hoti është takuar sot me përfaqësuesit e institucioneve të sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, kryetari i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, dhe kryetarja e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Makifete Saliuka.

Por, te gjyqtarja Makifete Saliuka Zyra e Kryeministrit ka bërë dy gabime. Së pari, në sistemin gjyqësor të Kosovës nuk ka Gjykatë Komunale (të Prishtinës), dhe e dyta ajo nuk është kryetare e asnjë gjykate.

Makifete Saliuka është anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjyqtare e Gjykatës së Apelit.

Sipas njoftimit, kryeministri Hoti, në emër të Qeverisë së Kosovës, dhe përfaqësuesit e institucioneve të sistemit gjyqësor dhe prokurorial u zotuan se do ta vazhdojnë bashkëpunimin e mëtejshëm për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me reformën e sistemit të drejtësisë, duke e respektuar në tërësi parimin e ndarjes së pushteteve si atribute themelore kushtetuese, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe standardeve të sundimit të ligjit.