Zyra e Kryeministrit - borxhli i keq, pagesën e 300 mijë eurove e vonoi katër muaj

Zyra e Kryeministrit e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është treguar borxhli i keq vitin e kaluar. Kjo zyre nuk e ka paguar një faturë në vlerë prej 26 mijë e 828 euro.

Pagesa e faturave, sipas Rregullës Financiare mbi shpenzimin e parave publike, duhet të bëhet nga institucionet brenda 30 ditëve, por kështu nuk ka ndodh me zyrën e Kryeministrit.

“Vonesat kishin ndodhur si pasojë e mungesës së mjeteve, për shkak të hyrjes në obligime në mungesë të mjeteve të zotuara”, thuhet në raportin 30 faqesh të Zyrës Kombëtare të Auditorit për pasqyrat financiare të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2019.

Vonesat në pagesa ishin deri në 4 muaj.

“Në tri raste të pagesave të testuara, njëra në ZKM në vlerë 26,828€ dhe dy në AUV në vlerë 369,000€, kemi vërejtur se pagesat ishin paguar pas afatit të përcaktuar ligjor, me vonesë deri në katër muaj”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas ZKA-së, mos realizimi i pagesave brenda afatit të caktuar ligjor, mund të rrezikoj realizimin e shpenzimeve të parapara për vitin aktual, si pasojë e borxheve të papaguara. Po ashtu, kjo mund të rezultojë me pagesa përmes vendimeve gjyqësore apo vendimeve të Thesarit, të cilat bartin në vete kosto shtesë.

ZKA ka rekomanduar që Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori Ekzekutiv në AUV, të sigurojnë se të gjitha faturat e pranuara, të paguhen brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.