Zyra e BE-së në Kosovë: Status quo-ja e paqëndrueshme, dialogu duhet të rifillojë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se nuk kanë asnjë koment për deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, i cili pak ditë më parë tha se nuk e ka vullnetin që si president i vendit të marrë pjesë në dialogun me Serbinë i cili udhëhiqet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurse zëdhënësja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dinka Zivalj në një përgjigje për KALLXO.com, është shprehur se dialogu Kosovë-Serbi duhet të rifillojë sa më shpejt që është e mundur.

“Ne nuk kemi asnjë koment për deklaratat e z. Thaçi. Status quo-ja në dialog nuk është e qëndrueshme dhe dialogu duhet të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, sapo situata e shkaktuar nga pandemia e coronavirusit ta lejojë atë. Ne kemi theksuar për një kohë të gjatë se është e rëndësishme të rifillojë dialogu për t’i dhënë rajonit një perspektivë të qartë evropiane”, thuhet në përgjigjen e saj.

Zivalj ka shtuar se BE-ja e lehtëson dialogun që prej fillimit të vitit 2011 dhe vazhdon të punojë përmes Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell – i mbështetur tani nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak.

Sipas saj, emërimi i fundit i Përfaqësuesit Special të BE-së për rajonin pasqyron rëndësinë e shteteve anëtare që i kushtojnë dialogut.

“Përfaqësuesi Special është vazhdimisht në kontakt me të gjithë partnerët relevantë për të dëgjuar perspektivat, pritjet dhe shqetësimet e tyre në mënyrë që të përgatisin bazat, në mënyrë që dialogu të mund të rifillojë pa vonesë”, ka thënë ajo në përgjigjen për KALLXO.com.

Sipas zëdhënëses së Zyrës së BE-së në Kosovë, ritmi i dialogut varet nga të dyja palët.

“Sidoqoftë, koha, agjenda dhe ritmi i dialogut nuk varet vetëm nga BE, por formësohet së bashku me të dy palët dhe aftësinë e tyre për të rënë dakord”, ka theksuar ajo.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se nuk e ka vullnetin që si president i vendit të marrë pjesë në dialogun me Serbinë i cili udhëhiqet nga Lajçak.

“Personalisht unë si President i vendit do t’i përgjigjem çdo ftese në veçanti sa i përket samiteve nga Presidenti Macron apo kancelarja Mekel, por nuk e kam vullnetin që të participoj në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak”, tha Thaçi në një konferencë për media të martën.

Duke iu referuar rolit të Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell si dhe Përfaqësuesit Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Thaçi tha se duhet bërë diferencimi i partnerëve strategjikë.

Kurse, të mërkurën Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell deklaroi se e ardhmja e dy vendeve Kosovës dhe Serbisë është Evropa dhe se janë të vendosur t’i ndihmojnë në çdo hap gjatë kësaj rruge që sipas tij është e vetmja.

“E ardhmja e Ballkanit perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë është evropiane. Si BE jemi të përkushtuar t’i shoqërojmë ata në çdo hap të rrugës së tyre. Por për ta bërë të ardhmen evropiane një realitet për njerëzit e tyre nuk ka asnjë mënyrë tjetër përveç dialogut të lehtësuar nga BE,” u shpreh ai.

Në prill të këtij viti Këshilli i BE-së njoftoi për emërimin e  Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

 Javë më parë, Lajçak ka deklaruar se korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk kontribuon në stabilitetin në rajon.

Ai edhe përmes një postimi në “Twitter” e ka përsëritur qëndrimin e tij ndaj korrigjimit të kufijve.

“Javën e kaluar kam folur për APA për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të jetë në linjë me të drejtën ndërkombëtare dhe t’i kontribuojë stabilitetit në rajon. Ideja e korrigjimit të kufijve e bën të kundërtën”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ditë më parë, në një intervistë për gazetën “Koha Ditore” nuk tha se kundërshton shkëmbimin e territoreve në mes dy vendeve.