Zyra e BE-së në Kosovë reagon pas shkarkimit të Valdete Dakës

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka reaguar pas shkarkimit të Valdete Dakës nga kryesuesja e KQZ-së dhe emërimin e ri në këtë pozitë.

Ambasadori Szunyog ka deklaruar se është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe të ruhet pavarësia e KQZ-së.

“Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Vjosa Osmani për të shkarkuar shefen e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhje lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje” ka shkruar ai në rrjetin social “Twitter”.

Presidentja Vjosa Osmani dje njoftoi se e ka liruar nga detyra kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Pas shkarkimit të Dakës, Osmani emëroi Kreshnik Radoniqin kryetar të ri të KQZ-së, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.

Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta nga ana e opozitës në vend dhe shoqërisë civile.