Zyra e BE-së në Kosovë: Lajçak dhe Escobar do të takohen me liderët politikë, qëllimi është dialogu Kosovë-Serbi

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Prishtinë do të takohen me liderët e partive politike në Kosovë dhe me lidershipin politik.

Tutje në njoftimin e Zyrës së BE-së është bërë e ditur se qëllimi i qëndrimit të tyre në Kosovë është vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.

“Lajçak dhe Escobar do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i udhëtimit është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga ShBA”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se Lajçak do të takohet gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë pikëkalimin e përbashkët në Mutivodë.

Më herët, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se mezi po presin vizitën e Zv/Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në Kosovë gjatë javës së ardhshme.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 25 janar njoftoi për ardhjen e Lajçakut dhe Escobarit këtë javë në Kosovë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011-ë.. Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021.

Ambasadori amerikan e konfirmon ardhjen e Escobarit në Kosovë

.