Zyra e BE-së në Kosovë komenton “paralajmërimet politike” për bashkim me Shqipërinë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, i ka ndërlidhur me fushatën elektorale paralajmërimet e politikanëve kosovarë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zivalj ka theksuar se liderët politik në rajon duhet të nxisin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

“Liderët politikë në rajon duhet të udhëheqin me shembullin e promovimit të një klime të besimit të ndërsjellë, duke nxitur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal, me parime dhe vlera të cilat BE-ja përfaqëson. Kjo është e vlefshme edhe në fushatat elektorale”, thuhet në përgjigjen e saj me shkrim për KALLXO.com.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka deklaruar se ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar , dhe disa prej tyre nuk kanë vdekur, për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan.

KALLXO.com ka kërkuar koment nga ambasadori Kosnett, për deklarimet e politikanëve kosovarë për mundësinë që Kosova të bashkohet me Shqipërinë përmes një referendumi.

Së fundi, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, iu është drejtuar presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Serbisë, që nëse dëshirojnë ta shmangin referendumin Serbia duhet ta njeh Kosovën shtet të pavarur.

Ideja për bashkim më Shqipërinë ishte proklamuar më herët edhe nga ish-kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.