Flamuj të BE-së -Foto: REL/AFP
Zyra e BE-së në Kosovë kërkon transparencë në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Apelit dhe 5 prokurorive Themelore
Këshilli Prokurorial në takimin e 255 ka bërë shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të prokurorive Themelore dhe për Prokurorinë e Apelit.
Për këtë, nga Zyra e BE-së në Kosovë, të mërkurën më 16.10.2024, kanë bërë të ditur se do t’i monitorojnë nga afër këto përzgjedhje.
Përmes një postimi në rrjetin “X”, Zyra e BE-së në Kosovë kanë deklaruar se presin që Këshilli Prokurroial, në këtë rast, të sigurojë standarde të larta të integritetit gjatë procesit të përzgjedhjes së këtij konkursi.
“BE-ja do t’i monitorojë nga afër këto përzgjedhje dhe pret që Këshilli Prokurorial i Kosovës të sigurojë standardet më të larta të integritetit gjatë gjithë procesit. Një sistem drejtësie i përgjegjshëm dhe transparent është thelbësor në rrugën e Kosovës drejt BE-së”- shkruan Zyra e BE-së në Kosovë.
Shpallja e konkursit është bërë për Prokurorinë e Apelit dhe për prokuroritë themelore të Ferizajt, Gjilanit, Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës.
Ndërkaq, konkursi do të jetë i hapur për 15 ditë pas shpalljes së tij më datë 21.10.2024 në gazetë zyrtare dhe shpalljen e njoftimit në mënyrë fizike në objektet e Prokurorisë.
Kështu është bërë e ditur në takimin e 255-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të mbajtur më 15.10.2024.
KPK shpall konkursin për kryeprokuror të Apelit dhe pesë Prokurorive Themelore