ZRRE

Zyra e BE-së kundër vendimit të ZRrE-së për favorizim të investitorëve

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse.

Tashmë sipas vendimit të ri të Rregullatorit janë caqe prej 20 megavatëve që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me një çmim prej 85.5 euro për megavat.

Kundër këtij vendimi kishte dalë edhe Zyra e BE-së në Kosovë më 16 maj 2019, gjatë kohës që ZRrE ishte në procesin e përcaktimit të tarifës nxitëse për projektet e energjisë së ripërtëritshme.

Në komentet e Zyrës së BE-së thuhet se ata mbështesin fuqimisht zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë, por jo që kjo të bëhet në këtë mënyrën që ka vepruar ZRrE.

“Vlerësojmë progresin e konsiderueshëm të bërë deri më tani në tërheqjen e investimeve në sektorin e BRE-ve, kjo duhet të bëhet përmes mekanizmave të subvencioneve që ka të ngjarë të jenë të qëndrueshëm në planin afatgjatë”, thuhet në komentet e Zyrës së BE-së.

Sipas Zyrës së BE-së, subvencionimi për zhvillimin e kapaciteteve shtesë të BRE-ve duhet të bazohet në procedura dhe mekanizmat konkurrues, të cilat do të lejojnë që të shmanget mbikompensimi i investitorëve.

“Për të përmbushur caqet vullnetare duhet të bazohet në procedurat/mekanizmat konkurrues, të cilat do të lejojnë që të shmanget mbikompensimi i investitorëve”, vazhdon reagimi i Zyrës së BE-së.

Ata madje kanë përmendur shembujt e tjerë në rajon, në Shqipëri dhe Mal të Zi, të cilët kanë realizuar procesin e tenderimit konkurrues me pak apo aspak mbështetje nga shteti.

“Ne inkurajojmë ZRrE-në të avancojë promovimin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë përmes
procesit të tenderimit konkurrues, sipas Udhëzimeve për Ndihmën Shtetërore për mbrojtjen e mjedisit
dhe energjisë 2014-2020”, përfundon komenti i Zyrës së BE-së.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e kompanive që do të përfitojnë nga vendimi i ZRrE-së që të rritet kapaciteti i energjisë solare që do të kenë çmime të garantuar janë edhe “Devolli Group”. Kjo kompani është në mesin e aplikantëve që kanë marrë autorizime preliminare dhe që janë në listën e pritjes me kapacitete prej 3 megavatëve.

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parku energjetik i Devollëve është në “Madanaj, ZK Kusar, Komuna e Gjakovës”. Në të njëjtin lokacion autorizim preliminar për ndërtim të parkut për energji solare ka marrë edhe “VITA ENERGY”. Edhe kjo kompani do të përfitojë nga vendimi i ZRrE-së për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit prej 3 megavatëve.

Përifitues tjetër është kompania “VBS” Sh.p.K me 3 megavat. Edhe kjo kompani e ka të njëjtin lokacion për ndërtimin e parkut solar, pra në Madanaj të Komunës së Gjakovës.

Rritja e sasisë së energjisë solare që do të përfitojë tarifa nxitëse +20 megavat, me çmim 85.5 euro për megavat për orë është miratuar me tri vota për dhe një kundër në mbledhjen e Bordit të ZRrE-së më 27 nëntor. Kjo skemë mbështetëse nuk kishte kaluar në mbledhjen e 14 tetorit, kur dy anëtarë të bordit kishin votuar për dhe dy kundër.

Anëtarët e Bordit, Selman Hoti, Izet Rushiti dhe Besim Sejfijaj kanë votuar për ndërsa u.d i kryetari të Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova ka votuar kundër. Janova ka thënë se nuk është kundër çmimit por është kundër kësaj skeme mbështetëse.

Kjo pikë ka hyrë në rend të ditës me propozim të anëtarit Izet Rushiti dhe votim të Bordit të ZRrE-së.

Propozimin që çmimi për megavat për orë të jetë 85.5 euro e ka dhënë anëtari i Bordit, Selman Hoti.

Kjo ka qenë mbledhja e dytë kur skema mbështetëse ishte hedhur në votim. Kjo skemë mbështetëse ishte hedhur në votim edhe në mbledhjen e 14 tetorit por nuk kishte kaluar. Në atë mbledhje, skema nuk kishte kaluar për shkak se kanë qenë dy vota për dhe dy kundër.

U.d kryetari i bordit të ZrE-së, Arsim Janova dhe anëtari Besim Sejfijaj kishin votuar kundër ndërsa dy anëtarët e tjerë të bordit, Izet Rushiti dhe Selman Hoti kishin votuar për.

Janova edhe në këtë mbledhje ishte kundër, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë sikur në mbledhjen e 10 korrikut, ku kishte lexuar qëndrimet kundër të Ambasadës gjermane, INDEP-it, MZhE-së, konkluzionet e Këshillit të Ministrave etj.

Më tej, duke argumentuar votën kundër, Janova kishte thënë se rritja e sasisë në +20 megavat është jashtë caqeve.

Për shkak se kishte votim të barabartë votimi për këtë skemë ishte shtyrë për një mbledhje tjetër të bordit të ZRrE-së.

KALLXO.com raportoi dje që Lëvizja Vetëvendosje kishte ngritur padi në lidhje me vendimin e 27 nëntorit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas LVV-së, vendimi i marrë më 27 nëntor nga Bordi i ZRRE-së, për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkikë.

Vendimi i ZRRE-së që favorizon Devollët