Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyra e Avokatit të Popullit nuk ka të punësuar persona me aftësi të kufizuara

Institucioni i Avokatit të Popullit pritet të përfshijë në stafin e tij një person me aftësi të kufizuara.

Kështu deklaroi për KALLXO.com Avokati i Popullit, Naim Qelaj, pasi u pyet se pse ende nuk ka person me aftësi të kufizuar në zyrën e Avokatit të Popullit, përderisa ligji e parasheh që të ketë.

Qelaj tregoi që kanë filluar procedurat për punësimin e një këshilltari juridik, pozitë që do të jetë ekskluzivisht për kandidatët që janë persona me aftësi të kufizuara.

“Sa i përket pyetjes së punësimit të ndonjë personi me aftësi të kufizuara, me lejoni të theksoj angazhimin tim që të hap disa pozita të lira për këtë qëllim. Me kënaqësi ju njoftoj se kemi filluar procedurat e rekrutimit për pozitë të këshilltarit juridik, e cila pozitë do të jetë ekskluzivisht për kandidatët që janë persona me aftësi të kufizuara” -u shpreh ai.

Neni 12 i Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara thotë që çdo punëdhënës është i obliguar të punësojë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtor.