Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Zymi: Vendimi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit është në kundërshtim me atë çka thotë Instituti i Natyrës
Flutra Zymi nga organizata “Qytetarët Aktivë”, ka thënë se vendimi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK), në lidhje me projektin e ‘Parkut të aventurave’ në Gërmi, është në kundërshtim me mendimin profesional të Institutit për Mbrojtjen e Natyrës.
“Mjedisi në Kosovë në përgjithësi është shumë në rrezik, sepse ka një zinxhir që lidhen, duke fillu në pozita të Komunës e mandej në Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe në Ministri, ku koordinohen për përfitime individuale ose personale, ose vizionit të tyre të gabuar dhe e degradojnë mjedisin. Vendimi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, është në kundërshtim me atë çka e thotë Instituti”, ka thënë Zymi në emisionin “Kallxo Përnime”.
Sipas saj, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës në mendimin profesional drejtuar Komunës së Prishtinës ka thënë të largohen nga zonat e mbrojtura të Gërmisë.
“Instituti për Mbrojtjen e Natyrës thotë largohuni nga zonat e mbrojtura të Gërmisë, pritni planin menaxhues, ndërsa Agjencioni e thotë, me një fjali e përfundon, ‘pasi po thuani që ky është i vetmi lokacion, në rregull është me Agjencionin dhe me Institutin’, grahni kësaj pune. Instituti thotë se nuk është në rregull me lokacionin”, tha ajo.
“Vendimi i Ilir Morinës, është pa asnjë fakt ligjor dhe shkencor. Sepse kur jep vendim, duhesh me thanë, në bazë të këtij ligji, apo analize shkencore që e kemi bo, në rregull është. Për mua nuk ka arsyetim tjetër përveç që është koordinim në mes të komunës dhe z.Ilir Morinës”, ka thënë Zymi.
Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për projektin e Komunës së Prishtinës “Parku i aventurave”.
Ky projekt synon të ndërtohet në Parkun e Gërmisë.
Të ftuar në këtë debat janë Flutra Zymi nga organizata “Qytetarët Aktivë”, Sami Behrami nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës; Fitore Bajraktari nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike dhe Krenare Salihu nga WWF.