Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zymi: Qytetarët duhet të vetëdijësohen se iu garantohet me ligj pjesëmarrja në planifikimet e Planeve Zhvillimore

Zymi: Qytetarët të vetëdijesohen, u garantohet me ligj pjesëmarrja në planifikimet e Planeve Zhvillimore

Aktivistja nga organizata jo-qeveritare ‘Qytetarët Aktiv’, Flutra Zymi, ka thënë se qytetarët duhet të vetëdijesohen se iu garantohet me Ligj, pjesëmarrja në planifikimet e Planeve Zhvillimore e Hartave Zonale të komunave në Kosovë.

Gjatë debatit në KallxoPernime për të diskutuar për planin hapësinor të komunës së Prizrenit, ajo tha se ekziston Udhëzimi Administrativ që përcakton fushatën e informimit.

“Ne e kemi Udhëzimin Administrativ me 8 fleta për parimet dhe përfshirjen e qytetarëve në hartimin, debate, shqyrtime dhe në vendimmarrje. Pra e kemi komplet një Udhëzim. Një prej neneve thuhet se duhet me pas fushatë informimi”, ka thënë Zymi.

Ajo tha se ky është qëllimi që po organizohen këto debate për planet zhvillimore, sepse sipas saj, vetëdijesimi te qytetarët është i ulët, ndërsa kaosi mbretëron në secilën komunë.

“Në përgjithësi, çka kemi dashtë me arrit me këto debate, është një lloj vetëdijesimi te qytetaret, sepse ata duhet të përfshihen patjetër, i mbron ligji, njëkohësisht me pa edhe ku po çalojnë si institucione, si ministria si komunat. Sepse pas 20 viteve, ne ende jemi në kaos, neve si qytetarë ende na mungojnë gjërat esenciale, si trotuar, hapësira e gjelbër, ndriçimi nëpër rrugë, mbeturinat, transporti publik”, tha Zymi.

Në KALLXO.com dhe RTV Dukagjini po transmetohet debati i tretë prej një seri debatave që do të zhvillohen për planifikimin hapësinor të komunave tona. Debatet po organizohen prej dy organizatave që punojnë me plane hapësinore dhe trashëgimi kulturore, Qytetarët Aktiv dhe Ec ma Ndryshe.

Sa janë qytetarët e përfshirë në planifikimin e qytetit të tyre? A i ka pyetur dikush sa kat duhet me qenë ndërtesat e qytetit të tyre? A është planifikimi urban i qyteteve tona në përputhje me standardet evropiane?

Në debatin për Prizrenin të ftuar për diskutim janë Luan Nushi nga Instituti për Planifikim Hapësinor, Flutra Zymi nga Qytetarët Aktiv, Beni Kizolli drejtor i Urbanizmit në komunën e Prizrenit dhe Enes Toska nga organizata Ec ma Ndryshe.